Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka bërë sërish thirrje për një armëpushim urgjent në Lindjen e Mesme, pasi Izraeli nisi një seri sulmesh ajrore në Bejrut.

“Lufta në Liban mund të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm duke përfshirë fuqitë e jashtme”, tha Guterres në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në Nju Jork.

Ai bëri thirrje për një armëpushim të përkohshëm për të lejuar ofrimin e ndihmës humanitare dhe rifillimin e negociatave të paqes.

“Ne kemi nevojë për këtë armëpushim tani. Ne nuk mund të përballojmë negociata të pafundme, siç kemi për Gazën”, tha ai në takim.

“Ne duhet të shmangim një luftë rajonale me çdo kusht. Gaza mbetet epiqendra e dhunës. Dhe Gaza është çelësi për t’i dhënë fund asaj”, theksoi Guterres.

Guterres tha se ligji ndërkombëtar humanitar dhe civilët duhet të respektohen.

“Spiralja e vdekjes duhet të përfundojë – për Gazën, për popullin e Palestinës dhe Izraelit, për rajonin dhe për botën”, tha Guterres.

“Dhe më në fund duhet të ketë përgjegjësi. Çelësi i paqes në rajon është një zgjidhje politike”, tha ai.

Fjalimi i Guterres erdhi pas intesifikimit të luftimeve mes Izraelit dhe milicisë shiite libaneze Hezbollah, ndërsa numri i të vdekurve vlerësohet të ketë arritur në mbi 750 – pas një jave të sulmeve ajrore izraelite.

Guterres ka kritikuar vazhdimisht sjelljen e ushtrisë izraelite në Gazë – duke thënë se tani i frikësohet një qasjeje të ngjashme në Liban.

Sipas autoritetit shëndetësor të kontrolluar nga Hamasi në Gazë, numri i të vdekurve pas gati një viti sulmesh izraelite ka arritur në më shumë se 40 000. Shifra nuk bën dallim mes civilëve dhe luftëtarëve./ata