Sot në Podgoricë u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kuvendin e kryeqytetit të Malit të Zi, ku marrin pjesë 13 lista zgjedhore.
Në këto zgjedhje të drejtë vote kanë afro 146 mijë votues, të cilët zgjedhin 58 këshilltarë për Kuvendin e Podgoricës.
Rënia e pushtetit në Podgoricë ishte pasojë e mosmarrveshjes dhe ndarjes së partisë që mban pushtetin në Malin e Zi, Lëvizjes Evropa Tani. Partia u nda mes presidentit aktual, Jakov Milatoviç, i cili ishte një nga themeluesit e saj, dhe kryeministrin dhe kryetarin të kësaj lëvizjeje, Milojko Spajiç.
Analistët i konsiderojnë të rëndësishme zgjedhjet e Podgoricës dhe i shohin si një lloj testi për zgjedhjet e mundshme të jashtëzakonshme parlamentare në Mal të Zi, të cilat sipas disa vlerësimeve mund të ndodhin për shkak të paqëndrueshmërisë ende të theksuara politike në vend.
“Këtu kemi të bëjmë me atë se kush do të dominojë politikën zyrtare në Mal të Zi. Duhet të merret parasyshë se kush e ka pushtetin në Podgoricë do të dominojë edhe politikën zyrtare në Mal të Zi. Besoj se ekziston mundësia që rezultati i zgjedhjeve vendore në Podgoricë ta determinojë politikën e ardhshme zyrtare në Malin e Zi”, tha analisti Dukaj.
Edhe analisti dhe njohësi i mirë i zhvillimeve politike në Malin e Zi, Xhevdet Pepiq, mendon se partia në pushtet do të pësoj humbje në zgjedhjet lokale të Podgoricës.
“Këto zgjedhje janë pasojë e mosmarrveshjeve brenda një force politike dhe në këtë situate partia në pushtetin e Malit të Zi ka gjasa reale të pësojë humbje. Megjithatë mendoj se ndarjet e thella dhe inatet ndërpartiake do të ndikojnë në formimin e qeverisë së qëndrueshme lokale”, tha zoti Pepiq.
Zgjedhjet e mëparshme për Kuvendin e kryeqytetit u mbajtën në tetor të vitit 2022, kur pas gati tre dekadash Partia Demokratike e Socialistëve e ish-presidentit Milo Gjukanoviq humbi pushtetin, në nivel shtetëror dhe pastaj në kryeqytetin malazez në një valë ndryshimesh të përgjithshme politike në shtet.
Mali i Zi ka rreth 633,000 banorë, dhe rreth 180,000 prej tyre jetojnë në Podgoricë, sipas regjistrimit të vitit 2023. /VOA