Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se bombardimet izraelite pa kriter ndaj vendbanimeve në Liban do të shkaktojnë katastrofë humanitare të ngjashme me atë në Gaza.

"Këto bombardime pa kriter i vendbanimeve në Liban shkaktuan humbjen e shumë jetëve", deklaroi Peskov i cili shtoi se "Kjo në mënyrë të pashmangshme do të shkaktojë katastrofë humanitare si ajo që kemi parë në Gaza".

Në pyetjen se cili është rreziku i një lufte të madhe në rajon pasi Izraeli vrau liderin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah, zëdhënësi Peskov tha: "Ky (rrezik) është shumë i lartë".

 

- Në sulmet e intensifikuara të Izraelit në Liban humbën jetën 1.208 persona

Ushtria izraelite e cila që nga 8 tetori vazhdon konfliktin e kontrolluar me Hazbollahun, më 23 shtator kreu qindra sulme ajrore në qytetet jugore të Libanit si dhe në rajonet Beqaa dhe Baalbek.

Sipas autoriteteve libaneze, gjithsej 1.208 persona, përfshirë 104 fëmijë dhe 194 gra, janë vrarë që nga 17 shtatori kur shpërthyen pajisjet e komunikimit të përdorura nga Hezbollahu.

Lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah u vra në sulmet ajrore të ushtrisë izraelite në Bejrut më 27 shtator.

Ndërsa, Hezbollahu i përgjigjet me predha dhe raketa Izraelit. Në këto sulme, të cilat kryesisht kishin në shënjestër bazat e ushtrisë në anën izraelite, nuk janë raportuar dëme të mëdha.

Për shkak të bombardimeve izraelite brenda vendit janë zhvendosur qindra mijëra njerëz.

Teksa vala e migrimit vazhdon nga pjesët jugore të vendit drejt kryeqytetit Bejrut dhe veriut, dhjetëra mijëra persona kanë migruar drejt Sirisë./aa