Drejtuesja e departamentit e Arsimit në Partinë Demokratike, Lili Sula, në një deklaratë për mediet tha se, Ministria e Arsimit dhe Sportit është duke kryer emërime pa procedurë dhe meritokraci.

Sipas saj, “ministrja e Arsimit, znj. O. Manastirliu, në të gjitha emërimet në MAS, ka vendosur vetëm njerëzit në lidhje të ngushtë me të. Emërime të bëra pa transparencë, pa profil formimi profesional, madje pa lidhje me arsimin e pa procedura, por vetëm përmes makinacioneve ligjore. Këto emërime të ministres së Arsimit, të vetmen karakteristikë kanë rolin e shërbëtorit të besuar të ministres dhe besueshmërinë partiake.”

Ajo shtoi se, “sot në Zyrën Vendore Arsimore në Tiranë e drejton znj. Bora Salaj, laborante për nga arsimi, që më parë ka punuar si drejtoreshë e Operatorit të Kujdesit Shëndetësor – është emëruar pa konkurs, pa meritokraci, por vetëm si e besuara e saj.”

“Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar, Tiranë (DRAP) pritet të emërohet z. B. M. – një tjetër nëpunës i operatorit qendror shëndetësor, që aktualisht mban postin e zv./drejtorit, një tjetër person që s’ka kurrfarë lidhjeje me arsimin”, u shpreh Sula.

Sula më tej u shpreh se, “OECD (Organizata për Zhvillim e Bashkëpunim Ekonomik) vëren se qeveria shqiptare në objektivat globalë të zhvillimit të qëndrueshëm, 2030 ka bërë hapa pas në sektorin e arsimit, me rënie të thellë të normave të regjistrimit në parashkollor dhe fillor dhe mbështetjen e ulët financiare nga shteti. OECD thekson se një shoqëri e arsimuar është baza për zhvillimin e qëndrueshëm në të ardhmen, ndaj rënia e nivelit arsimor në vend është një ogur i keq për të gjithë fushat e zhvillimit social dhe ekonomik në të ardhmen”./ata