Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë në Futboll, Sylvio Mendes Campos Junior, ka publikuar sot listën me lojtarët e grumbulluar për dy ndeshjet e radhës në transfertë, të vlefshme për UEFA Ligën e Kombeve.
Në një konferencë për mediat, trajneri Sylvinho ka folur për listën me 24 lojtarët e grumbulluar, gjendjen e tyre dhe përgatitjet për dy ndeshjet e muajit tetor, ndaj Çekisë dhe Gjeorgjisë.
Trajneri i kuqezinjve ka theksuar se është shumë i kënaqur me lojtarët. "Jam shumë i lumtur me të gjithë. E rëndësishme të kuptohet se kemi në monitorim 40 – 50 lojtarë. Nuk jemi Kombëtare që nëse nuk luan me klubin, nuk përzgjidhesh. Të mos jesh pjesë e listës, nuk do të thotë që nuk stërvitesh. Nuk varet nga sa minuta luan. Gjithmonë lojtarët kanë qenë të gatshëm për të dhënë gjithçka", tha ai.
Sylvinho u shpreh se duhet të bëjnë një listë të ekuilibruar dhe të mirë. "Pavarësisht minutave (lojtarët) kanë dhënë gjithçka me fanellën e Kombëtares. Luajnë apo jo në Champions, me minuta apo 0 minuta për mua është e rëndësishme të japin zemrën dhe shpirtin në fushë", u shpreh trajneri Sylvinho.
Sipas listës së publikuar nga trajneri Sylvinho, në portë janë Thomas Strakosha, Elhan Kastrati dhe Alen Sherri.
Për në mbrojtje janë grumbulluar Elseid Hysaj, Ivan Balliu, Mario Mitaj, Andi Hadroj, Ardian Ismajli, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Marash Kumbulla dhe Enea Mihaj.
Në mesfushë janë Ylber Ramadani, Kristjan Asllani, Amir Abrashi, Adrion Pajaziti, Qazim Laçi, Nedim Bajrami dhe Ernest Muçi, ndërkohë në sulm Jasir Asani, Taulant Seferi, Arbër Hoxha, Myrto Uzuni dhe Mirlind Daku.
Kombëtarja e Shqipërisë në Futboll do të luajë gjatë muajit tetor dy ndeshjet e radhës për UEFA Ligën e Kombeve. Shqipëria do të përballet me Çekinë në "Epet Arena" më 11 tetor dhe me Gjeorgjinë në stadiumin "Mikheil Meskhi" më 14 tetor.
Në kuadër të ndeshjeve kualifikuese të UEFA Ligës së Kombeve, Shqipëria ndodhet në grupin B1 së bashku me Çekinë, Ukrainën dhe Gjeorgjinë./aa