Në përvjetorin e parë të luftës gjenocidale të Izraelit në Rripin e Gazës, ushtria izraelite vazhdoi sulmet e saj vdekjeprurëse sot, duke vrarë 42 palestinezë në gjithë enklavën e shkatërruar.
Sipas një deklarate të Mbrojtjes Civile të Gazës, ushtria izraelite vrau tre palestinezë dhe plagosi gjashtë të tjerë në një sulm ajror në kampin e refugjatëve Bureij në pjesën qendrore të Rripit të Gazës.
Në lindje të Khan Younisit në jug të Rripit të Gazës, një burim mjekësor tha për Anadolu se një vajzë palestineze u vra si rezultat i granatimeve të artilerisë izraelite ndaj qytetit Abasan.
Në qytetin Rafah, tetë palestinezë, përfshirë gra dhe fëmijë, u vranë në një sulm ajror izraelit në një shtëpi. Një tjetër grua palestineze u vra në një sulm ajror në një shtëpi në zonën Khirbet Al-Adas në veri të Rafahut.
Në pjesën veriore të Rripit të Gazës, dy palestinezë u vranë në dy sulme izraelite, sipas burimeve mjekësore në Spitalin Baptist Al-Ahli.
Katër palestinezë të tjerë u vranë në një sulm ajror izraelit në një shtëpi në zonën Saftawi në Qytetin e Gazës në veri, thanë dëshmitarët okularë për Anadolu.
Në qytetin Beit Lahia, katër palestinezë, përfshirë gra, u vranë në një sulm ajror izraelit në një shtëpi.
Një burim mjekësor tha se një grua palestineze u vra nga plumbat e një droni izraelit, dhe pesë të tjerë u vranë në një sulm ajror ndaj një grumbulli njerëzish në kampin e refugjatëve Jabalia në veri të Rripit të Gazës.
Gjithashtu në Jabalia, një burim mjekësor tha për Anadolu se 13 palestinezë u vranë dhe të tjerë u plagosën në një sulm ajror izraelit në zonën Abu Qamar.
Izraeli ka vazhduar ofensivën e tij brutale në Rripin e Gazës pas një sulmi nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor të vitit të kaluar, pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm.
Rreth 42.000 njerëz janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe mbi 97.300 të tjerë janë plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.
Sulmet izraelite kanë zhvendosur pothuajse gjithë popullsinë e Rripit të Gazës, krahas një bllokade të vazhdueshme që ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për veprimet e tij në Gaza./aa