Shkodra ka ende shumë dyer të vjetra, dëshmitare të jetës së dikurshme nëpër rrugicat e qytetit e ngjarjeve të përditshmërisë, e që tashmë përmes një nisme të DRTK Shkodër në bashkëpunim me COD do dokumentohen për t’ua përcjellë bukurinë e simbolikën e tyre, edhe më të rinjve.

Bashkë me karakteristikat e tyre arkitektonike, do të dokumentohen edhe historitë familjare që këto dyer kanë pritur e përcjellë ndër breza.

Iniciativa synon të ruajë dhe promovojë trashëgiminë kulturore të Shkodrës, duke regjistruar karakteristikat arkitektonike, historinë e secilës derë, si dhe lidhjet e saj me familjet që i kanë përdorur, si një mundësi për të hedhur dritë mbi kulturën e pasur shkodrane dhe si një kontribut në ruajtjen e identitetit historik.

DRTK Shkodër thotë se, krahas dokumentimit këto të dhëna do të bëhen të njohura për publikun gjatë muajit tetor.

Përmes këtyre dyerve të vjetra, brezi i ri por edhe vizitorët e shumtë të qytetit, do të mund të njihen me historinë e shkodranëve të dikurshëm, një pjesë e të cilëve i kanë dhënë shumë artit e kulturës shqiptare. Këto dyer që mbartin peshën shekullore të historive, lidhjeve farefisnore, shkëmbimeve jetësore e kulturore, do të jenë si një muze i hapur për këdo./ata