Një helmim masiv i qytetarëve ka ndodhur sërish në zonën e Dibrës. Sipas informacioneve paraprake raportohet se rreth 100 persona, mes të cilëve dhe fëmijë, janë paraqitur me simptoma të njëjta helmimi dhe kanë marrë shërbim në spitalin e Peshkopisë.

Analizat fiziko-kimike të ujit janë kryer, por rezultatet nuk kanë dhënë ndonjë informacion të qartë për shkakun e helmimit.

Ndërkohë, pritet një analizë bakteriologjike nga Tirana për të hetuar më thellë situatën.

Aktualisht, pesë persona po marrin ndihmën e nevojshme në spitalin rajonal të Peshkopisë, ku janë duke u trajtuar për simptomat e helmimit.

Autoritetet vazhdojnë të monitorojnë situatën dhe kanë nisur hetimet për të gjetur burimin e mundshëm të kontaminimit.

“Komisariati i Policisë Dibër, ka marrë njoftim se disa shtetas (mes tyre dhe disa të mitur), banorë të bashkisë Dibër, ishin paraqitur në spitalin rajonal të qytetit të Peshkopisë, për ndihmë mjekësore me simptoma si ata të helmimit.

Me marrjen e njoftimit, është ngritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të helmimit.

Në përfundim të hetimeve, do të ketë informacion më të detajuar”, thuhet në njoftimin e policisë./EuroNews