Pas takimit dypalësh të sotëm në Dubrovnik, kryeministri kroat Andrej Plenkoviq dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy nënshkruan një marrëveshje ndërmjet Kroacisë dhe Ukrainës.
Bëhet fjalë për "Marrëveshjen për bashkëpunim dhe mbështetje afatgjate ndërmjet Kroacisë dhe Ukrainës", e cila do të zyrtarizojë bashkëpunimin tashmë ekzistues mes dy vendeve, veçanërisht në fushën e ndihmës humanitare, deminimit dhe ndjekjes penale të krimeve të luftës, njoftojnë mediat kroate.
Plenkoviq dhe Zelenskyy u takuan në margjinat e takimit të tretë të samitit Ukrainë-Evropa Juglindore, i cili do të mbahet sot në Dubrovnik.
Në takim marrin pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, kryeministri i Bullgarisë, Dimitar Glavçev, kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Borjana Kristo, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Moldavisë, Mihai Popsoi, ministri i Jashtëm i Türkiyes, Hakan Fidan, ministrja e Punëve të Jashtme e Rumanisë, Luminita Odobescu dhe zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian për Demografinë dhe Demokracinë, Dubravka Shuica, ndërsa sekretari i përgjithshëm i OECD-së, Mathias Cormann, do të flasë përmes një video-mesazhi, ka deklaruar qeveria kroate./aa