Qindra fëmijë nga kopshtet e qytetit të Pogradecit morën pjesë të martën në një marshim në kuadër të fushatës “Tetori Roze”, për ndërgjegjësimin kundër kancerit të gjirit. Të pajisur me buzëqeshje, lule dhe mesazhe simbolike, vogëlushët u bënë zëdhënës të rëndësisë së kujdesit për shëndetin e grave dhe nënave të tyre.
Bashkia e Pogradecit njoftoi se, marshimi përçoi një thirrje të qartë për gratë që të bëjnë vizita mjekësore të rregullta, duke theksuar se parandalimi dhe diagnostikimi i hershëm mund të shpëtojë jetë. Fëmijët mbajtën mesazhe që theksonin rëndësinë e shëndetit të grave për mirëqenien e familjeve dhe komunitetit.
“Tetori Rozë” është muaji ndërkombëtar i ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit, i cili zhvillohet çdo vit në muajin tetor. Qëllimi i kësaj fushate është të rrisë vetëdijen për kancerin e gjirit, të inkurajojë gratë të kryejnë kontrolle mjekësore të rregullta dhe të promovojë parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm të sëmundjes.
Aktivitete të ndryshme ndërgjegjësuese zhvillohen gjatë këtij muaji, si marshime, aktivitete komunitare dhe fushata edukative, për të inkurajuar gratë të kujdesen për shëndetin e tyre./ata