Presidentët e Türkiyes dhe Serbisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe Aleksandar Vuçiq, morën pjesë në Forumin e Biznesit Türkiye-Serbi në Beograd, në hapje të të cilit Vuçiq tha se Türkiye sot është një nga vendet më moderne dhe më të suksesshme.
Vuçiq tha se forumi është vazhdimësi e bashkëpunimit të suksesshëm dhe shumë intensiv ekonomik mes dy vendeve në periudhën e kaluar. Ai tha se hekurudha Novi Sad - Suboticë do të hapet për një muaj dhe se me Budapestin do të lidhen me një hekurudhë të shpejtë kur hungarezët të përfundojnë punën e tyre për më pak se dy vjet. Në të njëjtën kohë, ai tha se është filluar ndërtimi i hekurudhës së shpejtë Beograd - Nish, dhe Nish - Dimitrovgrad, e cila sipas Vuçiqit do të lehtësojë tranzitin ndërmjet Serbisë dhe Türkiyes. Presidenti serb gjithashtu tha se janë vendosur linja të reja ajrore dhe se do të vendosen edhe linja të tjera.
Ai u shpreh se Türkiye nuk është i njëjti vend sot, siç ka qenë 40 vjet më parë.
“Recep Tayyip Erdoğan dhe të gjithë ju së bashku keni ndryshuar fytyrën e atij vendi. Sot Türkiye është një nga vendet më moderne dhe më të suksesshme”, tha Vuçiq.
Ai theksoi se ardhja e investitorëve turq është jashtëzakonisht e rëndësishme që Serbia të përparojë me të njëjtën shpejtësi.
“Për ne, bashkëpunimi me Türkiyen është më shumë se ekonomik, diçka që do të thotë stabilitet dhe paqe në të gjithë Ballkanin. Diçka që është me rëndësi kyçe për ne. Nuk kemi turp ta themi këtë. Kemi parë që me mundin dhe punën tonë dhe në bashkëpunim me miqtë tanë, mund ta ngremë vendin tonë”, tha presidenti i Serbisë.
Ai gjithashtu tha se presidenti i Türkiyes ka premtuar se do të ketë bashkëpunim të madh në industrinë e dedikuar, si dhe se do të ketë një prani të konsiderueshme turke në Expo 2027 që do të mbahet në Serbi në dhjetor 2026.
“Ne duhet të përfundojmë gjithçka për dy vjet. Dhe këto janë veprat më të mëdha infrastrukturore dhe lloj-lloj veprash në historinë e këtij vendi. Në një pjesë të madhe të kësaj pune do të na ndihmojnë kompanitë turke dhe ne jemi të lumtur për këtë. Ne jemi të lumtur për përshtatshmërinë, seriozitetin dhe përgjegjësinë e kompanive turke, por edhe për atë që do të ofrojmë për brezat që do të vijnë në vendin tonë”, shtoi Vuçiq.
Forumi mblodhi përfaqësues të rreth 300 kompanive nga dy vendet.
Më herët gjatë ditës, presidenti Erdoğan është takuar në Beograd me Vuçiqin dhe më pas kanë marrë pjesë në takimin e katërt të Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë, pas çka zyrtarët e dy vendeve kanë nënshkruar marrëveshje të shumta për bashkëpunim.
Janë nënshkruar gjithsej 11 marrëveshje dhe dokumente që synojnë forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit dypalësh, që mbulojnë fusha të tilla si energjia, tregtia, teknologjia, sporti, sigurimet shoqërore, menaxhimi i fatkeqësive dhe media./aa