ë qytetin e Vlorës si pasojë e përmbytjeve nga reshjet e shiut të javës së kaluar janë dëmtuar 323 banesa dhe 73 biznese.

Emergjencat Civile të Vlorës pas bilanceve të kryera njoftuan se dëmet më të mëdha ishin në rajonin 5 ku ndodhen lagjet “Karabash” dhe “Kushtrimi”.

Drejtori i Emergjencave Civile Vlorë, Ardian Vreshtazi tha për mediet se lagjet “Karabash dhe “Kushtrimi” kanë pasur më shumë dëme, pasi edhe sasia e ujërave dhe inerteve kanë qenë më të mëdha. “Përveç elektroshtëpiakeve ka pasur dëmtime edhe në mobilie. Në këtë rajon dëmet ishin më të mëdha se sa në pjesë të tjera të qytetit, theksoi ai.

“Ne po bëjmë një llogaritje te faturës financiare dhe preventivat dërgohen në qark ku saktësisht përcaktohet vlera e dëmit dhe pastaj kalohet në këshill bashkiak ku mbas aprovimit të tyre dhe banorët do të dëmshpërblehen. Përveç elektroshtëpiakeve ka pasur  dëmtime edhe në mobilje dhe relativisht kanë qenë dëmet më të mëdha se në pjesë të tjera. Është një fond në dispozicion, fondi i kushtëzuar i Emergjencave Civile, i cili do të përdoret rreth 200 mijë euro. Ka akoma familje që janë në konviktin e shkollës Mjekësore, të cilët trajtohen normalisht me ushqim derisa të kalohet në normalitet”, tha Vreshtazi.

Vreshtazi u shpreh se “ka nisur puna në terren për evidentimin e dëmeve, por edhe për pastrimin e kanaleve të ujërave të larta dhe po bëhen riparimet në pjesët që janë të dëmtuara”.

Përmbytjet që përfshinë Vlorën më 4 tetor sollën dëme të shumta në banesa dhe biznese, ndërsa rrugët u mbuluan nga uji./ata