Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në këtë edicion të 26-të vjen ndryshe, ku fokus i është dhënë teatrit alternativ, tej skenës tradicionale, duke u zhvendosur në lokacione të ndryshme të qytetit të Elbasanit, kjo me synim për të afruar spektatorin.
Drejtori i Festivali të Teatrit, Adonis Filipi, në një prononcim në media, tha se në gjithë këto vite Festivali Ndërkombëtar i Teatrit ka ndikuar në rritjen e imazhit të Shqipërisë në botë, rritjen e jetës artistike në qytet dhe promovimin e vlerave qytetare dhe artistike të këtij qyteti.
“Është e rëndësishme të thuhet dimensioni i këtij festivali. Ky festival nuk mendon vetëm për sot, por i shërben perspektivës. Është nga ato festivale që bën promovimin e vlerave artistike e kulturore shqiptare në botë. Në 26 vite kemi përcjellë mesazhin se ne shqiptarët dimë të ndërtojmë traditë dhe vlera. Por, ky festival ka më shumë nevojë për mbështetje qendrore dhe lokale që të vijojë rrugëtimin e tij”, u shpreh ai.
Në edicionin e 26-të të këtij festivali marrin pjesë trupa teatrore nga Greqia, Franca, Bullgaria, Serbia, Maqedonia e Veriut etj./ata