Numri i të vdekurve nga sulmet izraelite në Liban që nga tetori i vitit të kaluar është rritur në të paktën 2.309, me mbi 10.780 të tjerë të plagosur.

Ministria e Shëndetësisë e Libanit njoftoi se tre persona të tjerë u vranë dhe 84 u plagosën në sulmet ajrore izraelite në lagjen Nabatieh në Libanin jugor.

Që nga 23 shtatori, Izraeli ka kryer sulme masive ajrore në të gjithë Libanin kundër atyre që Tel Avivi i quan objektiva të Hezbollahut, duke vrarë të paktën 1.542 njerëz dhe duke plagosur mbi 4.555 të tjerë. Që atëherë, po ashtu janë zhvendosur mbi 1.34 milionë njerëz.

Fushata ajrore është një përshkallëzim i luftës ndërkufitare 1-vjeçare midis Izraelit dhe Hezbollahut që nga fillimi i ofensivës së Tel Avivit ndaj Rripit të Gazës, ku janë vrarë të paktën 42.300 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë.

Pavarësisht paralajmërimeve ndërkombëtare se Lindja e Mesme është në prag të një lufte rajonale mes sulmeve të pamëshirshme izraelite ndaj Gazës dhe Libanit, më 1 tetor Izraeli e zgjeroi konfliktin duke nisur një inkursion tokësor në Libanin jugor./aa