Në kuadër të muajit tetor, që në të gjithë botën shërben për sensibilizimin e grave dhe vajzave që të kryejnë kontrollet e gjirit për të parandaluar prekjen nga kanceri, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka vendosur mamografi lëvizëse.
Plot 14 pajisje mamografie të shpërndara në 12 qytete në të gjithë vendin janë në dispozicion të çdo qytetari, grua apo burrë, pa asnjë kosto.
Kontrollet e rregullta janë thelbësore për luftën kundër kancerit.
Mamografia lëvizëse ishte edhe në Prezë, ku gratë dhe vajzat kryen kontrolle.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau edhe disa nga mesazhet ndërgjegjësuese të këtyre grave.
“Mesazhet frymëzuese të grave dhe vajzave nga Preza, na kujtojnë sa e rëndësishme është të kryejmë kontrollet periodike. Falë mamografive lëvizëse, kujdesi për shëndetin vjen më afër çdo gruaje, edhe në zonat më të largëta. Shëndeti është pasuria jonë më e çmuar, sepse ia vlen të jetosh”, u shpreh Koçiu.
Dhurata Vrana, mësuese në Prezë, pasi bëri mamografinë u bëri apel të gjitha grave dhe vajzave të kryejnë kontrolle, të shpëtojnë jetën e tyre, për vete dhe familjen e tyre.
“Jam për rikontroll. E kam bërë disa herë ekon në kujdes të shëndetit. Kujdesi për shëndetin duhet çdo ditë, por ky muaj si muaj sensibilizimi, Tetori Rozë, mendoj se është mesazh shumë i fuqishëm për të gjitha gratë, në mënyrë që të kenë kujdes për shëndetin e tyre. Ju falenderoj që jeni këtu që na mundësuat bërjen e mamografisë, këtu dhe falas, Sigurisht që ia vlen të jetosh”, u shpreh ajo.
Një tjetër grua thotë se e kishte neglizhuar kontrollin e gjirit, për shkak të angazhimeve të shumta, por premton se do ta bëjë çdo vit.
Ndërsa një vajzë e re bëri apel për çdo vajzë dhe grua për të bërë fillimisht ekon e gjirit dhe më pas edhe mamografinë. Kjo, pasi sipas saj, parandalimi është shumë herë më mirë se sa trajtimi./ata