Vendimi për rritjen e trajtimit financiar për 6000 efektivë të Forcave të Armatosura është botuar në Fletoren Zyrtare.

Në një reagim, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu u shpreh se me këtë vendim hidhet një hap i  rëndësishëm për një trajtim dinjitoz të ushtarakëve shqiptarë krahasuar me vendet e rajonit.

“Me botimin në Fletoren Zyrtare të vendimit për rritjen e trajtimit financiar për rreth 6 mijë efektivë të Forcave të Armatosura, hedhim një hap të rëndësishëm për një trajtim dinjitoz të ushtarakëve tanë krahasuar me vendet e rajonit”, theksoi Vengu.

Vengu bëri të ditur se, duke filluar nga 1 janari 2025 edhe 2500 efektivë të tjerë do ta marrin këtë shtesë për herë të parë.

“Investimi në kapacitete, trajtimi financiar dhe profesional është një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Mbrojtjes”, shtoi Vengu.

“Ky vendim është mbështetje dhe një investim për ushtarakët me fokus në sigurinë e vendit, gjithmonë në gatishmëri për të mbështetur edhe strukturat rajonale e kombëtare në rastet e emergjencave civile”, theksoi më tej ministri i Mbrojtjes.

Vendimi për rritjen e trajtimit financiar të efektivëve të Forcave të Armatosura është botuar në Fletoren Zyrtare nr. 175/2024 pas miratimit nga Këshilli i Ministrave.

Ky vendim do t’i shtrijë efektet financiare duke filluar nga 1 janari 2025 dhe fondet do të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes.

Nga ky vendim përfitojnë shtesë të trajtim financiar rreth 6000 efektivë të FA, prej të cilëve 2500 efektivë e marrin atë për herë të parë.

Trajtim më të mirë financiar do të përfitojnë edhe kapacitete kombëtare si: Forcat Speciale, pilotët, inxhinierët dhe teknikët e mirëmbajtjes, njësia cyber, dronët, forcat e dedikuara për emergjencat civile dhe shumë e shumë kapacitete të tjera.

Vendimi i plotë sqaron në mënyrë të detajuar shtesat për të gjitha kategoritë./ata