Punimet për vendosjen në punë të trenit elektrik që lidh Tiranë me Durrësin e më pas me Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit po avancojnë, ndërsa ka mbërritur në Shqipëri edhe një makineri e re moderne, e quajtur “rrahëse”, e cila pritet të përshpejtojë dhe përmirësojë ndjeshëm punimet.

Kryeministri Edi Rama përcolli sot pamje të kantierit të punimeve, duke theksuar edhe ndikimin e rëndësishëm të këtij projekti në fushën e transportit në vend.

“Vijon puna me ritme të mira në kantierin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës-Rinas e cila do të jetë një linjë tërësisht elektrike, me një ndikim të rëndësishëm në fushën e transportit në vend, e ku falë makinerive moderne me të cilat po punohet në subjekt, ky projekt po merr një hov më shumë në ecurinë e përgjithshme të punimeve për linjën shqiptare”, u shpreh Rama.

Hekurudha Tiranë-Durrës një projekt i rëndësishëm kombëtar, që jo vetëm që do të përmirësojë lidhjen mes kryeqytetit, qytetit bregdetar dhe aeroportit, por gjithashtu do të kontribuojë në reduktimin e ndotjes dhe në zhvillimin e transportit të qëndrueshëm, pritet të përmbyllet në muajin mars të vitit të ardhshëm.

Sipas projektit të kësaj linje hekurudhore, koha e udhëtimit Tiranë-Durrës do të jetë 22 minuta dhe Tiranë-Rinas vetëm 12 minuta.

Linja do të ketë 11 stacione, të cilat do nisin nga Durrësi, për të vijuar në Shkozet-Sukth-Vorë-Kashar, linja këto ekzistuese me nevoja për rikonstruksion.

Më pas aksi hekurudhor do të vijojë në Laknas, Aeroporti i Tiranës dhe Terminali i Transportit Publik Tiranë.

Stacioni i 9-të dhe i 10-të janë parashikuar dhe projektuar të ndërtohen në kontratën e segmentit shtesë nga Terminali i Transportit Publik Tiranë deri te Bulevardi i Ri. Ndërkohë stacioni i 11-të është menduar të shtrihet në kryqëzimin e rrugës “Jordan Misja” – Bulevardi i Ri.

Treni i hekurudhës Tiranë-Durrës do të jetë elektrik, ndërkohë që shpejtësia e lëvizjes parashikohet në 100 km/orë. Hekurudha është e gjatë 39 km dhe financimi i saj mbështetet nga BERZH përmes një kredie me vlerë 70 milionë euro./ata