Agroturizmet jo vetëm që kontribuojnë në fuqizimin ekonomik të zonave, por edhe luajnë një rol kyç në krijimin e vendeve të punës për komunitetet lokale.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ishte në Laknas të Tiranës, ku vizitoi nga afër agroturizmin që ka ngritur Blerina.

Denaj tha se, “ky agroturizëm nxit një bashkëpunim të ngushtë me fermerët e zonës, duke u ofruar atyre mundësi të çojnë prodhimet e tyre cilësore, nga ferma në tryezë”.

Gjithashtu, tha Denaj, edhe turistët vendas dhe të huaj përjetojnë një eksperiencë autentike të kulinarisë shqiptare, ku çdo produkt i servirur është i freskët, organik dhe i prodhuar me kujdes në këtë agroturizëm me produkte nga fermerët lokalë.

Në këtë pikë agroturistike janë të punësuara 70% gra dhe vajza. Ndërkohë që kjo qendër bashkëpunon me mbi 25 familje fermere të zonës, prej të cilave furnizohet me produkte të ndryshme.

Denaj tha se 6 vite më parë në Shqipëri numëroheshin vetëm 10 agroturizme, ndërsa sot ka më shumë se 280 të tillë.

Agroturizmi është kombinimi perfekt i bujqësisë me turizmin, i familjes me sipërmarrjen, i fermerit me tregtarin, i mikpritjes emocionuese me produktet cilësore ushqimore  shqiptare, të cilat sot kanë marrë një jehonë në mediet ndërkombëtare./ata