"Dopio", kështu u ndanë fundjavën që lamë pas Rey Manaj dhe Myrto Uzuni. Dy sulmuesit e Kombëtares i dhanë fitoren Sivasspor dhe Granadas. Në Turqi Manaj është krah Icardit në formacionin më të mirë sipas 'SofaScore', teksa ka lënë pas dëmtimin.

Edhe Uzuni vuante një lëndim, ndërsa rikthimi ishte me dopietë. Edhe beratasi është pjesë e formacionit më të mirë në La Liga 2, si ndër më të vlerësuarit.

Ylli kuqezi tani ka 39 rrjeta me Granadan, ndërsa në vend të parë është Jusef El Arabi me 44. Uzuni la pas sulmuesin Odion Igalo, që ka shënuar 38 herë për këtë ekip.

“Është e qartë se kam shumë respekt për Igalon, për historinë që ka lënë këtu në Granada. Unë dua gjithmonë që të punoj fort dhe të shënoj, që të kaloj të gjithë rekordet te Granada. Dua që të jem më i miri në historinë e Granadës, jo për të kaluar Igalon, sepse unë e respektoj shumë atë, por unë jam Myrto Uzuni dhe dua gjithmonë që të shkruaj historinë edhe në Granada, ku ndihem si në shtëpi”, tha Uzuni./Shqiptarja