Ministri i i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja deklaroi sot se qeveria po punon për një strategji për të luftuar informalitetin në tregun e punës, ku parashikohen edhe incentiva për bizneset që formalizojnë punonjësit.

Gjatë një takimi ndërgjegjësues me sipërmarrës dhe drejtues sipërmarrjesh, në Tiranë, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama, ministri Gonxhja tha se ndërhyrja për formalizimin e tregut të punës është një domosdoshmëri për financat e skemës së pensioneve.

“Formaliteti është kthyer në një plagë në shoqërinë tonë që lidhet me mentalitetin, kulturën e punës dhe tregun e punës, por që ka të bëjë edhe me aspektin njerëzor. Kemi mijëra individë, kontributet e të cilëve janë deklaruar në tatime, por që nuk rezulton të jenë derdhur në buxhetin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Ky borxh ndaj ISSH-së llogaritet rreth 100 milionë euro. Mes debitorëve ka edhe ndërmarrje shtetërore. Po merremi me seriozitet për t’i dhënë fund këtij borxhi”, u shpreh ministri.

Ai theksoi se janë edhe një numër i madh subjektesh debitore në financat e ISSH-së, që kanë ndikim edhe në jetët e të gjithë këtyre individëve që do të trokasin në dyert e ISSH-së në ditën e daljes në pension.

Sipas kreut të MEKI-t, problem është edhe pagesa me para në dorë.

“Edhe kjo është një situata njësoj dramatike edhe për këtë kategori individësh që dakordësohen me këtë formë pagese me pasoja dramatike për të ardhmen e tyre në radhë të parë“, deklaroi ministri.

Ai bëri të ditur se po punohet për një strategji që të adresojmë formalitetin e pjesës në të zezë dhe formalitetin gri.

“Po punojmë me Administratën Tatimore për të ndërtuar një plan pune që të adresojmë formalitetin e pjesës në të zezë dhe formalitetin gri. Po ndërtojmë strategji për një ndërhyrje dinamike”, shtoi ai.

Një tjetër formë informaliteti, sipas ministrit, janë faturat e lëshuara nga profesionistët që janë të regjistruar si persona fizik.

“Janë të vetëpunësuarit që dalin nga shumë prej kompanive, vetëpunësohen, futen në regjistrat e personit fizik dhe nga ky status i ri faturojnë shërbime që deri para pak kohësh i kryenin në këto kompani, duke shmangur detyrimet për sigurime shoqërore dhe shëndetësore, duke krijuar një tjetër zonë informaliteti që prek shumë prej buxheteve të financave të shtetit”, tha ai.

Ministri bëri të ditur se strukturat tatimore do të angazhohen për të hetuar e kontrolluar dhe për të ndaluar zgjerimin e këtij fenomeni.
“Këtu bëhet fjalë për profesione të kualifikuara të paguara shumë mirë që fshihen pas kësaj skeme. Është një bashkëpunim i frikshëm, sepse ata janë duke bashkëpunuar, duke dëmtuar jetët e tyre dhe të gjithë skemën me të cilën bazojmë politikat sociale”, deklaroi Gonxhja.

Ministri shtroi nevojën e një fushate ndërgjegjësuese, pasi sipas tij, gjobat dhe masat ndëshkuese nga strukturat tatimore nuk mund të jenë e vetmja armë për të luftuar këtë plagë, këtë mosfunksionim të rregullave brenda tregut të punës.

“Po punojmë të kemi incentiva për formalizimin, që ndihmojnë drejt një formalizim të plotë“, theksoi ai./ata