Jurukët janë një grup etnik turk. Ata u vendosën në hapësirat ballkanike gjatë kohës së Osmanëve, duke krijuar një brez vendbanimesh në pjesën juglindore të vendit tonë. Për ta do të dëgjoni që i quajnë edhe nomadët e fundit në këtë rajon ballkanik. Ata jetojnë në mënyrë tradicionale pavarësisht sfidave të kohës moderne. Me traditën dhe kulturën e tyre të pasur, për shekuj të tërë kanë pasuruar mozaikun kulturor shumëngjyrësh.

Dëshira për të kapur mënyrën tradicionale dhe autentike të jetesës së Jurukëve na çoi përgjatë rrugës së pjerrët drejt fshatrave të Radovishit, Alikoç dhe Koxhali, të vendosura në shpatën jugperëndimore të malit Pllaçkovica, në një lartësi prej pothuajse 800 metrash mbi nivelin e detit.

Fshatrat juruke Alikoç dhe Koxhali në Maqedoninë e Veriut TRT Balkan

Ndërsa ngjitemi përgjatë rrugës, nuk mund të mos vërejmë peizazhin e bukur vjeshtor dhe bukuritë rurale, ku spikasin arat ku njerëzit punëtorë edhe në këtë periudhë të vitit po mbledhin “arin e verdhë”, duhanin. Pikërisht duhani është kultura dominuese bujqësore në këto zona, prej të cilës popullsia siguron ekzistencën.

Gjatë rrugës takuam edhe blegtorët, të cilët na pritën me mikpritje të ngrohtë dhe vazhduan me detyrat e tyre për kujdesin ndaj bagëtive. Përgjatë rrugës shohim shtëpitë e fshatit, të cilat në pjesën më të madhe janë të vogla dhe komode. Ato janë ndërtuar me gurë, të cilët mjeshtrit e vjetër i kanë përshtatur në mënyrë të përsosur, duke krijuar kështu një mozaik ideal të arkitekturës të së kaluarës. Muret e shtëpive dhe objektet shoqëruese janë zbukuruar me “arin e verdhë”, duhanin e varur, i cili në këtë periudhë të vitit thahet, ndërsa banorët shfrytëzojnë ditët e fundit me diell për të mbledhur duhanin nga arat e frytshme.

Dhe më në fund arrijmë në fshatin Koxhali. Duke qenë se është mesditë, njerëzit janë në arat e tyre dhe mbizotëron qetësia, e cila për një moment ndërpritet nga ezani (thirrja për lutje) që e bën muezini nga xhamia e fshatit, dhe gjithashtu dëgjohet zhurma e fëmijëve në rrugët e ngushta të fshatit. Në fshat takojmë Nailen, e cila thotë se edhe pse është në moshë të thellë, ende mund dhe dëshiron të punojë në arë. Ajo shpjegon se familja e saj merret me bujqësi dhe në këtë mënyrë mbijeton.

Fshatrat juruke Alikoç dhe Koxhali në Maqedoninë e Veriut Others

"Ne mbjellim duhan, spec, domate... Vetëm këto kultura i punojmë, asgjë tjetër nuk punojmë," thotë Nailja në bisedë me ekipin e TRT Balkan.

Ajo tregon se dita në këtë fshat fillon shumë herët. Ajo dhe familja e saj zgjohen rreth orës 3 të mëngjesit, përgatiten dhe shkojnë në arë për të mbledhur duhanin. Kthehen rreth mesditës, ku në shtëpi, në hapësirat e tyre në oborr, e varin duhanin. Dhe ky proces, thotë ajo, përsëritet vazhdimisht.

Kostumet karakteristike të grave juruke, të cilat kanë nuanca të theksuara të ngjyrës blu, vjollcë, të kuqe, të verdhë dhe jeshile, të zbukuruara me elemente lulesh Others

Kur jeni në këto zona, thjesht nuk mund të mos vini re kostumet karakteristike të grave juruke, të cilat kanë nuanca të theksuara të ngjyrës blu, vjollcë, të kuqe, të verdhë dhe jeshile, të zbukuruara me elemente lulesh. Këto kostume përfaqësojnë një pasuri të vërtetë kulturore dhe një identitet të veçantë kulturor të Jurukëve.

"Materialet me të cilat i bëjmë kostumet i sjellin këtu nga Türkiye. Kështu ka qenë edhe më parë. Kur njerëzit shkonin në Türkiye, i sillnin këtu këto materiale, ne pastaj i qepnim me makinë dhe i vishnim," kujton Nailja.

Kostumet karakteristike të grave juruke, të cilat kanë nuanca të theksuara të ngjyrës blu, vjollcë, të kuqe, të verdhë dhe jeshile, të zbukuruara me elemente lulesh Others

Gjylizar Aliova nga fshati Alikoç thotë se kostumi i grave juruke ka një bukuri dhe rehati të veçantë, dhe për shekuj me radhë është veshur dhe transmetuar nga brezi në brez, për këtë arsye kjo traditë e bukur vazhdon edhe sot.

"Ne jemi mësuar që të vegjël ta veshim këtë kostum. Unë jam 58 vjeçe, dhe në këtë moshë nuk dal me rroba të hapura, na vjen turp. Derisa të jemi gjallë, këto kostume do t'i veshim," thotë Aliova.

Si në pothuajse çdo zonë rurale, edhe këtu popullsia lokale ka vështirësitë dhe sfidat e veta me të cilat përballet çdo ditë. Megjithatë, banorët thonë se jeta që jetojnë, edhe pse ka vështirësi, sjell shumë bukuri dhe veçanti.

Fshatrat juruke Alikoç dhe Koxhali në Maqedoninë e Veriut Others

"Unë jam pjesë e gjeneratës së re këtu. Nuk është e vështirë të jetosh. Këtu u mësova të jetoj dhe jam mirë. Në fshatin tonë ka të rinj. Në Alikoç dhe Koxhali të rinjtë nuk shkojnë shumë jashtë vendit, por nga fshatrat e tjera shkojnë. Në këto fshatra jetojnë vetëm turq. Por, në qytet ka maqedonas dhe komunitete të ndryshme etnike me të cilët jetojmë mirë," shpjegon Ramiz Aliov në bisedë me TRT Balkan.

Banorët e këtyre zonave vazhdojnë t’i bëjnë ballë kohës moderne, të jetojnë jetën e tyre në mënyrën që u sjell kënaqësi të vërtetë dhe për të cilën flasin me krenari, duke shpresuar se kultura autentike e Jurukëve do të vazhdojë të trashëgohet për brezat e ardhshëm./TRT