Mjekët dermatologë të QSUT-së deklarojnë se nuk kemi të bëjmë me një shpërthim të zgjebes në vend.

Sipas tyre, ka raste që janë rutinore si gjatë gjithë vitit, por ajo që përbën shqetësim është rezistenca ndaj mjekimit.

“Vizitat në ambulator në QSUT tregojnë se nuk ka raste të shtuara me skabie. Kemi raste rutinore si në çdo stinë të vitit. Ajo që konstatohet është rezistenca ndaj mjekimit dhe kjo për shkak të mënyrës jo të mirë të aplikimit të tij. Personat nuk zbatojnë rregullat para dhe pas mjekimit, ndërsa shkojnë sa nga njëra klinikë në tjetrën për të marrë mjekim dhe duket sikur rastet janë në shtim”, shprehet në një intervistë në media dermatologia e QSUT-së, Entela Shkodrani.

Zgjebja transmetohet përmes kontakteve të ngushta dhe kryesisht përmes rrobave, peshqirëve, çarçafëve dhe mes personave të së njëjtës familje.

“Kjo është një sëmundje që kërkon higjienë para dhe pas aplikimit të trajtimit. Rregulli bazë është që kur një person trajtohet me skabie në familje, bashkë me të duhet të trajtohet e gjithë familja në të njëjtën kohë. Mjekimi nuk lë imunitet. Riinfektimi është i mundur nëse nuk zbatojmë rregullat”, deklaroi dermatologia Shkodrani.

Shkodrani tregon shenjat e para që duhet të vënë në lëvizje pacientët.

“Shenjat e para fillojnë me kruarje kryesisht në duar, bark. Puçrrat janë dyshe dhe të ngjitura me njëra-tjetrën. Kruarjet realisht janë të forta. Zakonisht ato dalin gjatë kohës së gjumit, natën,” shton Shkodrani.

Zgjebja është e mjekueshme dhe nuk lë komplikacione. Nga ajo mund të riinfektohesh pasi trajtimi nuk lë imunitet.

Infektimi nuk ka lidhje me mungesën e higjienës, por me kontaktin ndaj personit që e ka këtë mikrob. Mjekët bëjnë apel të bëhet kujdes me mjekimin./ata