Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu vlerësoi sot punën e stafit të terapisë intensive në Maternitetin “Koço Gliozheni”, në trajtimin me sukses të një foshnje prematurë.

Manastirliu u shpreh se pas një komplikacioni dhe diagnoze të rëndë, ndërhyrja e menjëhershme dhe trajtimi me kujdes e profesionalizëm të lartë, i kanë dhënë jetë Arbit që lindi prematur në Maternitetin “Koço Gliozheni”.

“Sot Arbi i vogël e ka kaluar rrezikun dhe është shëndosh e mirë në krahët e nënës së tij, falë punës së stafit të terapisë intensive, me Prof. Asc. Alketa Hoxha”, tha ajo.

Mjekja që trajtoi rastin u shpreh se “modeli se ne tani punojmë nëpërmjet një sistemi referimi dhe transporti urgjence shumë të mirë bëri të mundur që nëna të vinte dhe të lindte pranë maternitetit tonë”.

“Ka qenë një patologji shumë e vështirë, patologji që ka rezultate jo të mira sidomos kur është gjendje e rëndë dhe në vende të tjera të botës. Ne aktualisht kemi një foshnje që me të vërtetë gëzon shëndet të plotë. Jemi të lumtur shumë nga rezultati”, tha ajo./ATSH