Në çdo qendër shëndetësore në të gjithë vendin vijon vaksinimi falas ndaj gripit.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau sot disa nga këshillat e mjekëve të familjes për kryerjen e vaksinave kundër gripit.

“Paralelisht po kryhen vaksinime edhe në familje për individët që e kanë të pamundur paraqitjen në qendrat shëndetësore”, tha Koçiu.

Koçiu u bën apel qytetarëve të drejtohen tek mjeku i familjes dhe të bëjnë vaksinën ndaj gripit për të mbrojtur veten dhe të tjerët.

Në videon e publikuar nga Koçiu, një mjeke në Qendrën Shëndetësore nr. 1 në Tiranë tha se “në çdo qendër shëndetësore ka ardhur vaksina kundër gripit, është falas për çdo person i cili është mbi 65 vjeç. Ejani sa më shpejt, sepse në momentin që administrohet vaksina do 2-3 javë që trupi të prodhojë imunitet dhe të jeni të mbrojtur ndaj këtij virusi”.

“Unë rekomandoj vaksinën kundër virusit të influencës për çdo pacient timin për familjarët dhe të afërmit e mi”, tha ajo.

Një tjetër mjeke theksoi se “e gjithë popullata preket nga virozat, por grupet më në risk janë fëmijët, të moshuarit mbi 65-vjeç, gratë shtatzëna, lehonat, të sëmurët kronikë, pacientët me imunitet të ulët dhe personeli shëndetësor”.

Një grua e moshuar tha se “e bëj sepse vaksinimi është mjaft i mirë, mbron njerëzit nga sëmundjet dhe virozat”.

Një mjek tha se “vaksina e gripit është e sigurt mund të parandalojë komplikacionet e gripit sezonal, si dhe sëmundjet që mund të përfundojnë me shtrimin në spital”.

Në qendrat shëndetësore nisi më 7 tetor vaksinimi falas kundër gripit si mjeti më efikas dhe mbrojtja më e mirë kundër virozave respiratore që shkaktohen nga virusi i gripit. Këtë vit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka siguruar 20 mijë doza më shumë se një vit më parë dhe do të vijojë të kryhet për grupet e riskut sipas një kalendari të përcaktuar nga strukturat e shëndetësisë.

Në kuadër të Programit Kombëtar të Vaksinimit janë siguruar 280 000 doza vaksinash të shpërndara tashmë në të gjithë vendin./ata