Nga Mariglen Shuli

Në rrjedhën e një prej lumenjve më të mëdhenj dhe më të rëndësishëm të Shqipërisë, Drini, gjendet pasuria më e mëdha energjetike të vendit. Kaskada e Drinit, e përbërë nga hidrocentralet e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës. Kjo kaskada nuk është thjesht një strukturë inxhinierike por është një testament i vizionit dhe sakrificave njerëzore, një simbol i forcës kolektive që për dekada të tëra mbajtur peshën më të madhe të sigurimit të energjisë elektrike në vendin tonë dhe mbi të gjitha ka përballuar kohën, politikën dhe natyrën.

Kaskada, e ndërtuar në një kohë kur Shqipëria ishte në izolim dhe me burime të kufizuara teknologjike, përfaqëson kulmin e përpjekjeve të inxhinierëve dhe punëtorëve shqiptarë. Në Fierzë, Koman dhe Vaun e Dejës, makineritë dhe sistemet janë të mbështetura nga dekada pune të palodhshme dhe përkushtim teknik. Pavarësisht kësaj, vitet kanë kaluar, dhe shumë nga pajisjet dhe sistemet teknologjike të këtyre aseteve dalin përtej ciklit të tyre të natyrshëm të jetës.

KESH sh.a e cila administron këto asete gjeneruese ndër të tjera ka detyrimin të garantojë sigurinë e veprave hidroteknike dhe gatishmërinë e operimit të çdo agregati. Këto asete nga pikëpamja teknike vlerësohen si shumë komplekse pasi kanë në përbërjen e tyre shumë elementë, sisteme, pajisje dhe makineri të cilat duhet të funksionojnë në mënyrë racionale dhe në sinkron të vazhdueshëm me njëra tjetrën për të arritur qëllimin kryesor i cili është prodhimi i energjisë elektrike në mënyrë të sigurt. Në ditët e sotme ku tregu i energjisë elektrike është shumë dinamik dhe përball na vendos sfida të ndryshme, një nga detyrat më të rëndësishme është mirëmbajtja e vazhdueshme e këtyre aseteve të papërsëritshme. Për plotësimin e këtyre detyrave është i angazhuar dhe punon në mënyrë të përkushtuar stafi respektiv i hidrocentraleve. Në mënyrë të veçantë, pavarësisht se puna specifike e stafit respektiv të Sektorëve  të Mirëmbajtjes nuk është shumë e njohur dhe e prekshme për pjesën e gjerë të publikut, klasifikohet si pjesa më e rëndësishme në funksion të përmbushjes së detyrimeve të cilët janë prodhimi i sigurt i energjisë elektrike dhe garantimi i sigurisë së veprave hidroteknike. Repartet Elektrike dhe Mekanike në secilin hidrocentral realizojnë të gjithë proceset që lidhen më gatishmërinë e agregateve dhe sistemeve të shkarkimit duke nisur që nga planifikimi i pjesëve rezervë, remontet profilaktike dhe remontet e mesëm. Veçanërisht në rastet e avarive që mund të ndodhin gjatë operimit të hidrocentraleve, stafi inxhinierik dhe teknik i sektorëve të mirëmbajtjes marrin masa të menjëhershme për të dhëne zgjidhje sa më shpejtë të jetë e mundur, pavarësisht orarit dhe ditës që mund të shfaqen avaritë. Nisur nga natyra e punës, niveli i riskut në proceset e punës dhe niveli i përgjegjësisë, pa pasur dyshime që po përdorim superlativa në vlerësimin e tyre, mund ti konsiderojmë si “heronjtë e heshtur” të hidrocentraleve në ditët e sotme.

KESH sh.a në mënyrë të vazhdueshme i kushton vëmendje të veçantë pjesës së mirëmbajtjes dhe operimit të sigurt të hidrocentraleve duke realizuar ndërhyrje dhe investime periodike në këtë drejtim në mënyrë që ti përgjigjet sfidave dhe kërkesave të tregut.

Ndër investimet më të rëndësishme që ka realizuar KESH sh.a është rehabilitimi Elektro-Mekanik i portave të shkarkimit në të tre hidrocentralet duke garantuar sigurinë e veprave hidroteknike.

KESH sh.a në bashkëpunim me KfW dhe me mbështetjen e Qeverisë Shqiptare është duke zhvilluar procedurën që do ti hapi rrugën projektit për rehabilitimin e plotë Elektro-Mekanik të HEC Fierza. Në këtë hidrocentral është realizuar vetëm një rehabilitim i pjesshëm i cili ka përfunduar në vitin 2009 gjatë të cilit u zëvendësuan vetëm dy nga katër turbina. Pjesa tjetër, turbina e Ag.1 dhe turbina e Ag.3 si dhe të katër gjeneratorët janë në funksionim që nga koha e instalimit të tyre. Gjendja teknike veçanërisht e turbinave të Ag.1 dhe Ag.3 imponon një rehabilitim total duke i zëvendësuar me turbina të reja.

Vlen të theksohet që në hidrocentralin e Vaut të Dejës turbinat dhe gjeneratorët nuk janë zëvendësuar asnjëherë dhe kanë gati 50 vite që funksionojnë. Referuar standardeve të sotme për jetëgjatësinë e të tilla pajisjeve kjo kohë funksionimi konsiderohet shumë e lartë. Kjo është arritur fal punës periodike dhe profesionale të stafit teknik gjatë gjithë kohës së funksionimit. Aktualisht KESH sh.a është duke punuar me partnerët ndërkombëtar për të hartuar një projekt i cili do të konsistojë në rehabilitimin e plotë të HEC Vau i Dejës ku mbi të gjitha do të zëvendësohen turbinat dhe gjeneratorët ekzistues me turbina dhe gjenerator të rinj me eficencë më të lartë. Ky projekt do të jetë prioritet i KESH sh.a në vitet e ardhshme. 

Puna për HEC Koman ka treguar qartazi sfidat dhe mundësitë për një optimizm më të madh të funksionimit të hidrocentraleve. Me përfundimin e rehabilitimit elektro-mekanik dhe modernizimit të sistemeve të kontroll-monitorimit, ky projekt ka rritur shkallën e gatishmërisë së agregateve dhe ka zvogëluar orët e avarive. Vlen të theksohet së në HEC Koman për shkak të gjendjes ekonomike të vendit tonë gjatë atyre viteve, gjatë zbatimit u reduktuan disa punime të cilat ishin parashikuar në projektin fillestar. Një ndër punimet që janë reduktuar gjatë zbatimit është dhe projekti i vendosjes së portave në të dy kullat e ekuilibrit për të mundësuar ndarjen e operimit të agregateve veçanërisht gjatë remonteve. KESH sh.a do të fillojë përgatitjet për studimin dhe hartimin e këtij projekti i cili do të jetë objektiv në vitet e ardhshme.

KESH sh.a do të vazhdojë të jetë e fokusuar edhe në të ardhmen në mirëmbajtjen dhe në përmirësimin e vazhdueshëm teknologjik në hidrocentralet e Kaskadës së lumit Drin. Në këtë kuadër, KESH sh.a mbetet e përkushtuar në filozofinë e saj për të mos parë teknologjinë thjesht si një mjet, por si një zgjerim të vizionit për një të ardhme të qëndrueshme energjetike. Partneritetet me institucionet ndërkombëtare nuk janë thjesht një mënyrë për të adresuar nevojat aktuale, por një katalizator për të hapur horizonte të reja, ku eficenca, siguria dhe inovacioni teknologjik janë gurët themelorë për të ardhmen energjetike të Shqipërisë./Tema