Policia e Tiranës përmes një njoftimi për mediat, ka dhënë detaje të tjera mbi “Çamçakëzin që përgjum fëmijët”, i cili u denoncua pak ditë më parë se qarkullon në institucionet arsimore në Tiranë.

Sipas hetimeve të kryera nga Policia e kryeqytetit, njoftohet se pas analizave ka rezultuar se “Çamçakëzi që përgjum fëmijët” nuk ka prani të ndonjë lënde psikotrope.

“Në vijim të kontrolleve të ushtuara, në një shkollë në Yzberisht është sekuestruar një tabletë në ngjyrë jeshile dhe nga analizat përkatëse në sektorin e toksikologjisë pranë ISHP, është arritur në përfundimin që nuk ka prani të ndonjë lënde psikotrope dhe rezulton të ketë në përbërje vitaminë E.”

“Pavarësisht këtij rezultati të nxjerrë, strukturat e Policisë do të vazhdojnë kontrollin dhe monitorimin në të gjitha shkollat.”, përfundon njoftimi i Policisë së Tiranës./ata