Prokuroria e Durrësit ka sekuestruar kontejnerët e dyshuar me mbetje toksike, të cilët janë rikthyer në Portin e Durrësit.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, kontejnerët do të depozitohen në një vend të sigurt si për sa i përket sigurisë mjedisore, dhe asaj fizike, nëpërmjet monitorimit 24 orë përmes kamerave.

“Bashkëlidhur me këtë shkresë, po ju dërgojmë për ekzekutim Vendimin e Prokurorit datë 26.10.2024 për sekuestrimin e kontejnerëve në lidhje me procedimin penal nr. 1596/2024.

Të gjithë subjektet e ngarkuara me zbatimin e këtij vendimi të nënshkruajnë në procesverbalin e sekuestrimit, në të cilin të përshkruhen në mënyrë të detajuar të gjitha veprimet që do kryhen në ekzekutim të vendimit dhe përshkrimi i saktë i sendeve.

Të merren masa që sendet e sekuestruara të depozitohen në një vend të sigurt si për sa i përket sigurisë mjedisore dhe asaj fizike nëpërmjet monitorimit të kamerave 24 orë. Sendet e sekuestruara të mbahen në gjendjen që janë pa u proceduar me hapjen e tyre”, thuhet në vendimin e Prokurorisë.

Në urdhrin e ekzekutimit, dy prokuroret Suela Beluli dhe Mediana Meta kanë listuar me numrat përkatës 102 kontejnerët që dyshohet se mbajnë mbetje të rrezikshme.

“Në funksion të këtij procedimi është e nevojshme të sekuestrohen në cilësinë e provës material me qëllim kryerjen e ekspertimeve përkatëse 102 kontejnerë”, thuhet në vendimin e Prokurorisë.

Anija “Moliva XA443A” që transporton kontejnerët është ankoruar mëngjesin e sotëm në radën e Portit të Durrësit.

Pocket: Lajm i mirë që prokuroria ka marrë vendim për sekuestrim

Jim Pocket, drejtor i Rrjetit të Bazelit, në një deklaratë për media nga Porti i Durrësit, tha se anija po mbahet 1 km larg bregut dhe pritet që pasditen e sotme të ankorohet në port.

“Jemi këtu me rastin arritjes së anijes “Molive”, në të cilën ne besojmë se ka 102 kontejnerë me mbetje të dyshuara toksike. Kjo anije vjen nga Singapori. Presim që anija Moliva të arrijë prapa krahëve tonë dhe të ankorohet pasdite. Ishim lajmëruar se do të vinte sot në mëngjes në orën 8:00, por është kërkuar nga autoritetet të mbahet një kilometër larg bregut. Kemi informacion, që autoritetet kanë kërkuar që kapiteni të vijë dhe të qëndrojë në pritje. Besoj se kjo shtyrje është për shkak se ju jeni të gjithë këtu. Besojmë se pasdite do të ankorohet, por nuk jemi të sigurt se çfarë do të ndodhë më pas nga autoritetet”, u shpreh ai.

Pocket tha se shpreson që skuadra që po ndjek hetimet të jetë e pranishme kur anija të ankorohet.

“Jemi në dijeni se ka një procedim penal nga Prokuroria për këtë çështje dhe shpresojmë që prokurorët të jenë këtu kur të vijë anija”, tha Pocket.

“Shpresojmë që hapja e kontejnerëve të bëhet nën mbikëqyrje të rreptë dhe në transparencë me publikun, derisa çdo gjë të skanohet dhe analizohet”, tha ai.

“Ka patur shumë polemika për këtë dërgesë. Disa thonë që nuk ka mbetje toksike, por jemi 90% të sigurt se ka mbetje toksike. Presim një analizë të plotë nga organet kompetente”, u shpreh Pocket.

“Jam 100% i sigurt se kjo ngarkesë nuk duhej të transportohej në Tajlandë. Ne kemi shkuar te fabrika në Tajlandë dhe e kemi parë atje. Kemi bërë ekzaminimet tona në fabrikë dhe kemi gjetur mbetje toksike të rrezikshme, arsenik dhe plumb. Kemi marrë dhe pluhurin dhe e kemi investiguar. Niveli i kontaminimit ka qenë edhe më i lartë se ai i gjetur nga Kombet e Bashkuara në kompaninë e çelikut në Elbasan, një nga hotspotet në Shqipëri, ku ne besojmë se e ka origjinën kjo ngarkesë. Janë bërë të gjitha vëzhgimet e nevojshme”, tha Pocket.

Ai tha se më vonë do ketë dhe një takim me ministrinë e linjës për të diskutuar më tej lidhur me çështjen. “Ditën e sotme do të ketë një takim me përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, për të diskutuar më tej. Ne shpresojmë që ministria të na japi të drejtë për të marrë një kampionë nga kontejnerët për të kryer analizat tona. Duam të marrim kampionë edhe nga kompania në Elbasan dhe ti konfrontojmë këto.”, tha Pocket.

I pyetur mbi origjinën e mbetjeve, Pocket u shpreh se; “Ne nuk jemi 100% të sigurtë për origjinën e mbetjeve. Ne besojmë se me shumë mundësi është “Kurumi” në Elbasan origjina. Ajo që kemi dëgjuar është që “Kurumi” e ka shitur sasinë e mbetjeve tek një Broker, dhe ai ky Broker më tej e ka eksportuar. Por nuk jemi absolutisht të sigurtë, pasi ka zëra që mund të ketë ardhur edhe nga jashtë vendit. Ka zëra që mund të kenë ardhur nga Kosova, apo nga Gjermania. Prandaj na duhet të bëjmë testet për të gjurmuar plotësisht se nga është origjina e këtyre mbetjeve.”

Rrjeti i Bazelit, i njohur ndryshe si Rrjeti Ndërkombëtar i Organizatave për Mjedisin (Bazel Convention Network), është një organizatë ndërkombëtare që merret me menaxhimin dhe kontrollin e transportit të mbetjeve të rrezikshme dhe të mbetjeve të tjera përtej kufijve./ata