Të paktën dy persona janë lënduar si pasojë e zjarrit që shpërtheu në një kantier detar ku ndërtohen nëndetëse bërthamore në rajonin Cumbria të Britanisë së Madhe.

Policia e Cumbria-s njoftoi se në orën 00:44 me orën lokale është raportuar një zjarr në kantierin detar në Barrow-in-Furness.

Në deklaratë bëhet e ditur se nuk ka rrezik për rrjedhje bërthamore dhe njerëzit që jetojnë në rajon u paralajmëruan të qëndrojnë në zona të mbyllura.

Sipas informacioneve paraprake, dy persona janë helmuar nga tymi dhe janë dërguar në spital, ndërsa mësohet se nuk ka humbje jetësh dhe se ata që ndodheshin në kantierin detar janë evakuuar.

Nga ana tjetër, policia, e cila njoftoi se zjarri ka shpërthyer në prodhuesin e armëve BAE Systems, ka hequr edhe paralajmërimin që i ka bërë publikut në orën 08.15 me orën lokale për të qëndruar brenda dhe për të mbyllur dyert dhe dritaret.

Ata që kanë shkuar në zonën ku ka ndodhur incidenti janë këshilluar të mbyllin xhamat e automjetit, kondicionerin dhe ventilimin.

Ndërkohë që vlerësohet se zjarrfikëset do të punojnë gjatë gjithë ditës, qytetarëve u bënë thirrje që të qëndrojnë larg zonës për të mos cenuar lëvizshmërinë e mjeteve të reagimit emergjent.

Sipas lajmeve në mediat britanike, ka filluar hetim mbi incidentin. Dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një pajisje me defekt.

Sipas të dhënave nga Action Against Armed Violence - Aksioni Kundër Dhunës së Armatosur (AOAV), BAE Systems shet armë në pothuajse gjysmën e vendeve në botë.

BAE Systems prodhon sisteme të luftës elektronike për F-35, ndërsa gjithashtu prodhon 26 fregata dhe 2 nëndetëse bërthamore për ushtrinë britanike.

BAE Systems gjithashtu tërheq shpesh kritika në lidhje me shitjet e armëve që i bën Izraelit. Ndërtesat e menaxhimit të kompanisë dhe objektet e prodhimit janë objektivi i protestuesve për shkak të rolit të saj në prodhimin e F-35-ve, të cilët i përdor edhe Izraeli./aa