Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB) Antonio Guterres në Konferencën e OKB-së për Diversitetin Biologjik (COP16) në të cilën ai mori pjesë në Kolumbi, tha se vendet duhet të përmbushin angazhimet e tyre në mënyrë që planeti të mbijetojë.

Duke folur në seancën e nivelit të lartë të COP16 të mbajtur në qytetin Cali, Guterres vuri në dukje nevojën për të parandaluar humbjen e biodiversitetit.

Ai bëri thirrje për mbrojtjen urgjente të diversitetit biologjik. "Ne duhet të kalojmë nga plaçkitja në ruajtje. Mbijetesa si e planetit ashtu edhe e nesh varet nga ajo. Natyra është vetë jeta, por ne po bëjmë luftë kundër saj, luftë që nuk ka fitues. Ne vërejmë se temperaturat po rriten çdo vit. Çdo minutë një kamion me mbetje plastike hidhet në oqeanet, lumenjtë dhe liqenet tona", tha Guterres.

 

- "Minon zhvillimin e qëndrueshëm"

Duke kërkuar nga vendet që të paraqesin strategjitë e tyre të biodiversitetit dhe planet e veprimit, Guterres theksoi se "Asnjë vend, i pasur apo i varfër, nuk është i imunizuar ndaj shkatërrimit të shkaktuar nga ndryshimet klimatike, humbja e biodiversitetit, degradimi i tokës dhe ndotja. Këto kriza mjedisore janë të ndërthurura, nuk njohin kufij, shkatërron ekosistemet dhe burimet e jetesës, kërcënon shëndetin e njerëzve dhe minon zhvillimin e qëndrueshëm".

Kreu i OKB-së rikujtoi objektivat e vendosura nga "Korniza Globale e Biodiversitetit Kunming-Montreal". "Ne kemi transformuar tashmë 75 për qind të sipërfaqes tokësore të botës dhe 66 për qind të oqeaneve. Fuqitë shtytëse të këtij shkatërrimi janë të rrënjosura në modele të vjetruara ekonomike që mbështesin modele të paqëndrueshme të prodhimit dhe konsumit. Ky shkatërrim thellohet më tej nga pabarazitë në pasuri dhe fuqi", potencoi Guterres.

Konferenca COP16 filloi më 21 tetor me temën "Paqe me natyrën" ndërsa do të përfundojë më 1 nëntor./aa