Arrat ofrojnë një larmi përfitimesh shëndetësore për organizmin. Ato forcojnë zemrën dhe ulin rrezikun e shfaqjes së sëmundjeve tumorale.

Arrat janë një thesar i mirëfilltë antioksidantësh të cilët përmirësojnë funksionet e trurit dhe ulin kolesterolin.

Kërkimet më të fundit shkencore kanë hedhur dritë edhe mbi rolin e arrave në përmirësimin e florës bakteriale në stomak.

Një dokument i publikuar nga Universiteti i Illinois në SHBA nxjerr në pah mënyrat se si arrat ndikojnë në mirëqenien e florës bakteriale e cila përbëhet nga miliarda mikro organizma që gjenden kryesisht në stomak.

Arrat janë një burim i vyer i fibrës. Kjo e fundit ndihmon në krijimin e një flore të larmishme bakteriale që është më e fortë kundër sëmundjeve që i kanosen sistemit tretës.

Roli i Arrave Në Përmirësimin E Florës Bakteriale

Shkencëtarët e Universitetit të Illinois thanë se konsumi i rregullt i arrave, rrit nivelet e tre baktereve kryesore në stomak: Faecalibacterium, Roseburia, dhe Clostridium.

Këto tre baktere prodhojnë një nënprodukt metabolik që përmirëson shëndetin e zorrës së trashë.

Arrat Ulin Nivelin E Acideve Kancerogjene Biliare

Studiuesit thonë se njerëzit që konsumojnë arra kanë nivele më të ulëta të acideve dytësore biliare.

Zakonisht, acidet biliare ndihmojnë në përthithjen e lipideve, kolesterolit dhe disa vitaminave në sistemin tretës.

Por disa prej tyre janë toksike. Acidet biliare futen në dy kategori: primare dhe dytësore. Këto të fundit njihen për kontributin e tyre në shfaqjen e kancerit të zorrës së trashë.

Shëndeti i sistemit tretës është i lidhur ngushtë me shëndetin e të gjithë organizmit, veçanërisht zemrën dhe trurin.

Arrat janë përshkruar gjithmonë si një super ushqim për shkak të përmbajtjes së lartë të acideve yndyrore omega-3.

Këto acide yndyrore janë të dobishme jo vetëm për shëndetin e zemrës por edhe të trurit.

Përpos tyre, arrat përmbajnë edhe acid linolenik, fibër, dhe polifenolë.

Të gjithë këto përbërës, i bëjnë arrat të dobishme kundër inflamacionit, kancerit dhe sëmundjeve nervore./AgroWeb.org