Ministria e Arsimit dhe Sportit do të vijojë zhvillimin e reformave në arsim edhe gjatë vitit 2025 me mbështetjen e arsimit bazë, të mesëm të lartë, orientimin e kurrikulave ndaj nevojave të tregut të punës dhe modernizimin e tyre.
Buxheti 2025 për MAS parashikohet të jetë në shifrën 62.02 miliardë lekë.
Me buxhetin e 2025 do të ndërtohen ose rikonstruktohen rreth 70-80 objekte arsimore të arsimit bazë, me rreth 1000-1200 klasa/laboratorë, ku parashikohet të përfitojnë rreth 20 000 -25 000 nxënës dhe 1500-2000 punonjës mësimorë.
Sipas relacionit të projektbuxhetit deri në vitin 2027, 87% e nxënësve që mbarojnë arsimin bazë do të regjistrohen në një nga format/llojet e arsimit të mesëm.
Në buxhetin 2025 përfshihet ofrimi i teksteve shkollore falas për rreth 240 mijë nxënës që ndjekin arsimin bazë nga klasa e parë në klasën e nëntë, si dhe tekste shkollore falas për rreth 16 mijë nxënës nga shtresa sociale në nevojë në arsimin e mesëm të lartë.
Buxheti 2025 do të garantojë ofrimin e bursave financiare apo kuotë ushqimore/financiare për 3800-4000 nxënës me nevoja të veçanta si dhe fëmijëve më me ndikim në uljen e braktisjes shkollore, të nxënësve të arsimit parauniversitar nga shtresat sociale në nevojë; hartimin e programeve specifike për arsimimin e grupeve të pafavorizuara.
Sipas relacionit të pr/buxhetit do të rritet numri i fëmijëve që ndjekin arsimin parashkollor, si dhe përfshirjen në klasat përgatitore në arsimin e detyrueshëm; reduktimin e numrit të klasave kolektive; sigurimin e shërbimit të transportit, si dhe mbulimin e shpenzimeve të transportit për rreth 33000 fëmijë dhe nxënës që kanë vendbanimin e tyre mbi 2 km nga shkolla, si dhe transportin për rreth 17300 mësues që punojnë mbi 5 km nga vendbanimi/qendra e përhershme e punës në shkollë.
Me buxhetin 2025 do të rritet numri i klasave të profilizuara sportive në mënyrë progresive në të gjithë vendin./ata