Muzeu Historik Kombëtar publikoi në faqen e tij online, një nga objektet më interesante të fondit të tij, “Kokën e Artemisës”. Vepra është realizuar në mermer të bardhë, me lartësi 28,5 cm, gjerësi 18,5 cm dhe trashësi 24 cm. Ajo është gjetur në Apoloni dhe i përket shekullit IV para Krishtit.
Koka e mermertë, nga një statujë e Artemisës, është zbuluar gjatë punimeve restauruese në shkallaren e monumentit të Agonotetëve dhe me gjasë ka shërbyer, së bashku me skulptura të tjera, si pjesë e dekorimit të harkut të triumfit të këtij monumenti.
Shikimi ëndërrues, kthimi i qafës në të djathë, mënyra e trajtimit të flokëve dhe lidhja e tyre sipër kokës, sugjeron një Apollon mjaft të ngjashëm me atë të Belvedere-s. Në fakt, ngjashmëritë midis dy hyjnive janë vënë gjithmonë në pah nga skulptorët e periudhës antike, pikërisht për të nënvizuar dhe përjetësuar lidhjen gjenetike midis dy hyjnive.
Vepra përbën një nga ekzemplarët më të bukur të ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar për nga mënyra e modelimit dhe teknika e punimit artistik./ata