Nisi në Tiranë edicioni i 3-të i “DarDan Fest”. Në një mbrëmje mikpritëse tek Piramida e Tiranës, nisi maratona 4-ditore, ku do të shfaqen një shumëllojshmëri dokumentarësh dhe filmash me metrazh të shkurtër.

Paraqitja dhe përfshirja e veprave kinematografike me një karakter artistik dhe dokumentaresk reflekton problemet e ndryshme të jetës së përditshme. Temat kryesore që e bëjnë këtë festival unik janë: Urbanizimi, Zhvillimi dhe Qytetërimi.

Edicioni i tretë i këtij festivali do të jetë një mundësi promovimi për studentët dhe autorët profesionistë të cilët, siç thanë organizatorët, kanë treguar një interes të jashtëzakonshëm. Mbi 750 materiale filmike kanë mbërritur nga anembanë botës dhe po ashtu, të shumta në numër e tematika, kanë qenë edhe aplikimet shqiptare, të realizuara me profesionalizëm.

Në jurinë e këtij festivali janë emra të njohur të artit e kulturës shqiptare si shkrimtari e skenaristi Ylljet Aliçka, piktori, pedagogu e studiuesi Shpend Bengu si dhe arkitektja Matilda Pando e cila do të gjykojë mbi prodhimet kinematografike të cilat në këtë edicion prekin tema të tilla si urbanizimi./ata