Punimet e ditës së sotme të Komisionit Hetimor për Sterilizimin dhe Check Up në shëndetësi kanë nisur prej orës 10.00 të paradites, por dëshmitari Ilir Beqaj, ish-ministri i Shëndetësisë ende nuk ka folur për shkak të diskutimeve që janë “ndezur” mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës.
Pas pyetjes së kryetares së këtij komisioni, deputetes së Partisë Demokratike, Albana Vokshi drejtuar ish-ministrit Beqaj nëse do të bënte një deklaratë të kontestualizuar, ky i fundit ka kërkuar që të flasë përmes një prezantimi powerpoint, me foto dhe video të fakteve dhe të dhënave sipas ish-ministrit. Kaq ka mjaftuar që në komision të nxiten debate të ashpra, ndërkohë që Vokshi nuk e ka pranuar këtë kërkesë që Beqaj e ka paraqitur përmes avokatit të tij, Ermal Yzeiraj.
Plarent Ndreca akuzoi opozitën dhe kryetaren e komisionit, Albana Vokshi, për pengimin e të drejtës së tij për të folur, duke theksuar se komisioni është shtyrë prej muajsh dhe tani po kufizohet e drejta e Beqajt për të paraqitur deklaratën e tij. “Keni gjashtë muaj që e shtyni këtë proces dhe tani e ndërprisni sërish. Po fyeni rëndë të drejtën kushtetuese të individëve duke mos e lënë Beqajn të shprehet siç është në të drejtën e tij”, tha Ndreca.
Vokshi tha se dëshmitari mund të flasë, por duke ndjekur procedurat dhe duke zbatuar ligjin. “Ta dëgjojmë, por duhet të ndjekim procedurat. Nëse zoti Beqaj dëshiron të bëjë deklaratën e tij pa shkelur rregullat, mund të vazhdojë. Prezantimet propagandistike nuk kanë vend këtu, ato bëhen në gjykatë”, tha Ndrecaj.
Beqaj, në cilësinë e dëshmitarit në këtë komision, i kërkoi Vokshit nëse ka një përgjigje për kërkesën e tij përmes avokatit. “Ligji përcakton që kur ju merrni leje në gjykatë për dëshminë time, ajo mund t’ju japë një kornizë të asaj që unë do them. Dua të di nëse keni një kornizë të tillë, që të mos më përdoret nesër në proceset e tjera penale”, tha Beqaj.
Vokshi theksoi se hetimi parlamentar nuk ka mbivendosje me atë penal. “Ju të dashuruarit pas Kushtetutës, do bëni mirë të lexoni vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Shkoni te Surreli, atje dëgjoheni. Këtu ai ka ardhur t’i përgjigjet pyetjeve”, u shpreh Vokshi.
Ndreca shtoi se qëllimi i drejtueses së këtij Komisioni, është të merret me personat, jo me argumentin. “Qëllimi juaj nuk është të merreni me argumentin, por me personat. Nuk mund t’i imponoheni shumicës së këtij komisioni. Beqaj ka deklaratën e tij dhe mund ta prezantojnë si të dojë”, tha Plarent Ndreca.
Deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili u shpreh se Beqaj nuk ka nevojë për të ilustruar qendrimet e tij, por mjafton ti përmbledh. “Ne s’jemi organ akuze dhe ai ska ardhur të mbrohet. Ne jemi një komision hetimor dhe duam të njihemi me veprimet që janë ndërmarrë nga Beqaj, kur ishte ministër. Nuk ngremë akuza, që ai të ketë nevojë të mbrohet. Ska precedent që e parashikon këtë prezantim vizual”, tha Vasili.
Anëtari tjetër i këtij Komisioni, Ilirjan Pendavinji i kërkoi Vokshit që të mos i mohojë Beqaj-t të drejtën e fjalës. “Ku e ke të përcaktuar ti që dëshmitari duhet ta lexojë në letër dhe jo në telefon apo aty? Ju i thoni në letër, nuk e lexon dot në letër, po cënoni të drejtën e dëshmitarit”, tha Pendavinji.
Ish-ministri Beqaj iu drejtua kryetares së Komisionit, Albana Vokshi që të bëjë deklaratën dhe të flasë duke e ilustruar deklaratën e tij me mjete audiovizive. “Keni shtatë muaj që më akuzoni si hajdut, kam ardhur të përgjigjem. Deklaratën dua ta ilustroj me mjete audiovizive, për të pasur mundësinë e një deklarate të konstetualizuar për disa ngjarje që kanë ndodhur më herët. Në vitin 2009, një ministër e bleu centralin dhe tre vjet e la në qese. Në bazë të nenit 2, pika 7 të ligjit thuhet: Vendim i ndërmjetëm është vendim i marrë sipas këtij ligji në çdo fazë të këtij hetimi, të pyetjes së dëshmitarëve. Në bazë të këtij neni, nuk ka asnjë ligj që tregon se kryetarja e komisionit merr vendime. Paska një precedent të një komisioni tjetër që shumica e ka rrëzuar, por unë dua të më jepni një vendim për kërkesën dhe të vazhdoj”, tha Beqaj.
Pas debateve, kryetarja e Komisionit, Vokshi ndërpreu punimet./ata