Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, bëri publikë sot emrat e 12 drejtuesve të rinj të Policisë në qarqet e vendit, ndërsa drejtues që kanë qenë deri më tani në krye të policisë së Shtetit, nuk kanë arritur që të zgjidhen sërish.

Tonin Vocaj, drejtues i Policisë së Tiranës do të zëvendësohet në këtë detyrë nga Elton Alushi.

Përmes një letre drejtuar kolegëve, Vocaj i ka falenderuar ata për bashkëpunimin dhe ka prezantuar arritjet gjatës kohës që ka drejtuar Drejtorinë e Policisë.

Ai thekson se gjatë 4 viteve që ka qenë në krye të kësaj detyre situata kriminale në Tiranë ka njohur stabilitet të dukshëm.

“Ky vit ka regjistruar vetëm 8 vrasje, nga të cilat vetëm një rast me prapavijë krimi të organizuar, 7 vrasje të zbuluara dhe të dokumentuara me prova të pakundërshtueshme ligjore. (për vrasjen e ndodhur me date 13.11.2024, po punohet nga një grup i posaçëm hetimor). Reduktimi i krimeve në volum ka qenë i dukshëm – është evident një ulje të ndjeshme të vjedhjeve dhe veprave penale kundër personit. Siguria në shkolla dhe lufta pa kompromis kundër shpërndarësve të lëndëve narkotike ka qenë një konstante në punën tonë. Po kështu ky qytet është vizituar nga miljona turistë të cilët fal Jush kanë gjetur një ambient të sigurte”- shkruan Vocaj.

Vocaj vuri në pah përparimet e arritura në Bashkinë e Krujës, e cila ka kaluar në juridiksionin e Tiranës rreth një vit e gjysmë më parë.

“Situata e rendit dhe sigurisë atje është shumë më e stabilizuar se më parë, dhe kultivimi i bimëve narkotike në territorin e bashkive Tiranë, Kamëz dhe Vorë është pothuajse inekzistent. Në Bashkinë e Krujës, ky fenomen është përgjysmuar në krahasim me një vit më parë”- shkruan Vocaj.

Më tej Vocaj shkruan se vitet që kam kaluar duke punuar përkrah jush do t’i ruaj gjithmonë në kujtesë me krenari dhe mirënjohje të thellë.

“Sfidat e kaluara së bashku, për të cilat kemi sakrifikuar dhe kemi punuar pa u lodhur, kanë pasur një qëllim të qartë të bëjmë qytetin tonë më të sigurt për të gjithë ne. Dhe sot, mund të them me bindje se ia ka vlejtur çdo përpjekje. Ju uroj të gjithëve suksese të mëtejshme dhe vazhdoni të ruani sigurinë dhe rendin me të njëjtin përkushtim dhe kurajë”- shkruan ndër të tjera Vocaj./ata