Mbreti Charles III ka nisur në Gjermani udhëtimin e tij të parë jashtë vendit si monark, pas anulimit për shkak të protestave të ndalesës së parë që ishte planifikuar në Paris. Monarku britanik mbërriti në Berlin të mërkurën, me synim përmirësimin e marrëdhënieve me Bashkimin Evropian, si dhe për të demonstruar se mund të fitojë zemrat dhe mendjet e njerëzve jashtë vendit, ashtu siç pati arritur nëna e tij për shtatë dekada me radhë.

 

Së bashku me Mbretëreshën Camilla, ata mbërritën pasdite në aeroportin qeveritar në Berlin. Mbreti i veshur me një pallto të zezë dhe mbretëresha me një pallto blu të lehtë dhe një kapele me pupël, u ndalën në krye të shkallëve të avionit, për t’u pritur me një përshëndetje prej 21 të shtënash topi. Ndërkohë dy avionë luftarakë fluturuan mbi ta.

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier dhe bashkëshortja e tij Elke Buedenbender, i mirëpritën ata me një ceremoni nderimi ushtarake në Portën historike të Brandenburgut në Berlin.

 

 

Ushtarët mbanin flamujt britanikë dhe gjermanë, ndërkohë që luheshin himnet kombëtare. Presidenti Steinmeier dhe Mbreti Charles kaluan në vazhdim përgjatë njerëzve të radhitur që valëvisnin flamurë, shtrënguan duart dhe biseduan shkurtimisht me ta.

 

Ardhja e tij në Republikën Federale u përshëndet si “një gjest i mrekullueshëm personal” nga presidenti Frank-Ëalter Steinmeier, i cili theksoi se kjo vizitë hap një faqe të re në marrëdhëniet me Britaninë e Madhe. Një faqe evropiane, po ashtu edhe ajo gjermane. Vizita e Charles dhe Camilla ishte në fakt rezultat i “këshillave qeveritare” të Sunak-ut, zbuloi ambasadori britanik, pikërisht për të shëruar plagën e thellë të shkaktuar nga Brexit. Një koncept që përkon edhe me fjalët e Steinmeier, në kështjellën e Bellevue: “Sot, pikërisht në ditën kur Britania e Madhe filloi daljen e saj nga Bashkimi Evropian gjashtë vjet më parë, ne po fillojmë një kapitull të ri. Së bashku, si miq dhe partnerë , le të shikojmë tani përpara”.

 

Veprimtaria treditore e tij parashikon një moment me rëndësi qendrore të enjten, kur Charles do të mbajë një fjalim në Bundestag. Ai do të takohet gjithashtu me kancelarin Olaf Scholz, do të bisedojë me refugjatët ukrainas dhe do të takohet me personelin ushtarak britanik dhe gjerman, të cilët po punojnë së bashku në projekte të përbashkëta. Pasdite, ai do të vizitojë një fermë organike jashtë Berlinit.

 

Çifti mbretëror planifikon të shkojë në Hamburg të premten, ku do të vizitojë memorialin Kindertransport për fëmijët hebrenj që ikën nga Gjermania në Britani gjatë Rajhut të Tretë dhe do të marrin pjesë në një aktivitet për energjinë e gjelbër përpara se të kthehen në Britani.