Rusia ka deklaruar se Ukraina duhet të jetë "neutrale" dhe të refuzojë të anëtarësohet në NATO dhe Bashkimin Evropian (BE) në mënyrë që të fillojë bisedimet e paqes për t'i dhënë fund luftës.
"Duhet të ketë status neutral dhe të refuzojë që t'i bashkohet NATO-s dhe BE-së, si dhe konfirmimin e statusit të Ukrainës pa armë bërthamore dhe njohjen e realitetit të ri territorial nga Kievi dhe komuniteti ndërkombëtar", tha zv/ministri rus i Punëve të Jashtme, Mikhail Galuzin, në një intervistë për televizionin rus RTVI.
Galuzin tha se Moska beson se "paqja gjithëpërfshirëse, e drejtë dhe e qëndrueshme në Ukrainë dhe Evropë" është e mundur pasi të përfundojnë luftimet midis trupave ruse dhe ukrainase.
Ai shtoi se Ukraina ka refuzuar të marrë në konsideratë zgjidhjen diplomatike të luftës dhe se nuk ka pasur "ndryshime të rëndësishme" në pozicionin e Kievit, pasi sipas tij vazhdon të "mbështetet në një zgjidhje ushtarake të konfliktit".
"Duket se pjesa më e madhe do të varet nga ajo se sa shpejt Kievi dhe Perëndimi do ta kuptojnë se receta për një të ardhme paqësore për Ukrainën qëndron në kthimin në origjinën e shtetësisë së saj të shënuar në Deklaratën e Sovranitetit Shtetëror të vitit 1990, e cila parashikon statusin neutral të Ukrainës duke respektuar të drejtat e popullatës ruse në atë vend, si dhe pakicat kombëtare”, tha Galuzin.