Automjeti në pronësi të Aldi Mustafës shpërtheu me eksploziv, në një atentat të ndodhur mesditën e sotme në Shkozet.
Policia bën me dije se lënda plasëse ishte vendosur në gomën e pasme, në krahun e pasagjerit, ndrysa mësohet se nga ngjarja nuk ka pasur të lënduar.
“Rreth orës 14:00, në aksin rrugor Shkozet – Durrës, në automjetin në lëvizje, që drejtohej nga shtetasi A. M., 37 vjeç (i vetëm në automjet), në gomën e pasme, në krahun e pasagjerit, dyshohet se ka shpërthyer lëndë eksplozive.
Nga shpërthimi i lëndës eksplozive nuk ka persona të dëmtuar, por vetëm dëme materiale.
Në vendngjarje shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor po vijojnë punën për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje”-njofton policia.
Aldi Mustafa, 35 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprat penale “Kanosja” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, i dënuar më parë me 10 vite burg, në Gjermani, nuk është një emër i panjohur për policinë.
Mësohet se Mustafa është shok i Aleksandër Lahos, ose ndryshe Pëllumb Muharremit, i njohur si ‘Rrumi i Shijakut’, i cili i shpëtoi atentatit që iu bë makinës së ish-prokurorit Arjan Ndoja.