Real Madrid shkatërroi Barcelonën me rezultatin 4-0 në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Kupës së Mbretit dhe u kualifikua në ndeshjen vendimtare për trofeun.
Në takimin e parë, Barcelona fitoi 1-0 në Madrid dhe pati mundësinë të konfirmojë vendin në finale në fushën e saj. Megjithatë, sonte rolet u përmbysën plotësisht dhe Reali luajti një nga ndeshjet më të mira të këtij sezoni.
Fillimi i ndeshjes i takoi deri diku Barcelonës. Së pari, vendasit kërkuan një penallti për lojën me dorë të David Alaba, por gjyqtari Jesus Munuera nuk ishte dakord.
Në minutën e 10-të rast i madh për vendasit, por goditja e Sergi Robertos u bllokua. Vinicius Junior u përgjigj me një tentativë dy minuta më vonë, por nuk arriti tek topi para Ronaldo Araujo.
Pasoi qetësi deri në fund të pjesës së parë dhe më pas tronditje për vendasit në Camp Nou. Vinicius Junior shënoi pas një kundërsulmi vrastar.
Me rezultatin 0-1 u mbyll pjesa e parë dhe më pas vazhdoi festivali i Realit.
Ishte minuta e 50-të kur Luka Modric i dhuroi Benzemas një top në fillim të zonës së rreptësisë dhe francezi shënoi një gol shumë të bukur për 0-2.
Shtatë minuta më vonë, një penallti për mysafirët. Franck Kessie rrëzoi Vinicius dhe Benzema shënoi një tjetër gol nga pika e bardhë.
Në minutën e 81-të të njëjtët aktorë shënuan sërish golin e Realit. Vinicius asistoi Benzemën, i cili shënoi në portën e zbrazët dhe kështu përfundoi hat-trick.
Deri në fund të lojës rezultati nuk ndryshoi, kështu që Reali arriti një nga fitoret më të mëdha ndaj Barcelonës në vitet e fundit.
Në finale Reali do të luajë kundër Osasunës, e cila mbrëmë eliminoi Athletic nga Bilbao. Finalja e Kupës së Mbretit është planifikuar të zhvillohet më 6 maj dhe do të jetë një mundësi ideale për skuadrën e Carlo Ancelottit për të fituar trofeun këtë sezon pasi Barcelona është e padiskutueshme në krye në La Liga.