Teksa pritej që këtë të hënë të mbahej mbledhja e KQZ  për përcaktimin e renditjes së kandidatëve për kryetar bashkie në fletët e votimit për bashkitë Tiranë, Kamëz, Lushnje, Durrës, Elbasan, Berat, Fier, Vlorë, Korcë, Lezhë dhe Shkodër, Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka njoftuar se kjo procedurë nuk do të zhvillohet ditën e sotme.

 

Gjatë fjalës së tij, Celibashi u shpreh se shorti do të shtyhet, ka marrë kërkesë nga një subjekt zgjedhor, që fillimisht shorti të hidhet për partitë politikë e më pas për kandidatët.

 

Ndër të tjera, Celibashi nënvizoi se për 3 kandidatë, duhet pritur përfundimi i shqyrtimit të ankimeve në KAS dhe Kolegjin Zgjedhor.

 

“Në seancën e sotme kemi zhvillimin e procedurave për hedhjen e shortit për renditjen e disa kandidatëve për kryetarë bashkie në disa bashki, por do ta shtyjmë sepse kemi marrë një kërkesë nga një subjekt zgjedhor, i cili kërkon që të bëhet hedhja e shortit, paraprakisht, për subjektet zgjedhore dhe pastaj për kandidatët për kryetarë bashkie. Edhe për këta të fundit, të bëhet për të gjithë në të njëjtën kohë. Meqënëse për 3 kandidatë jemi akoma në procedurë shqyrtimi të ankimeve, do duhet të presim përfundimin ne shqyrtimit të ankimeve në KAS dhe në Kolegjin Zgjedhor”, theksoi Celibashi.

 

Bëhet me dije se mbledhja do të shtyhet për shkak të ankimimeve për 3 kandidatët për kryetarë bashkie, në Shijak, Mallakastër dhe Kuçovë.

 

Shorti do të hidhet pasi të shqyrtohen ankimimet e bëra si subjekte të dekriminalizimit për kandidatët: Rezeart Tusha ne Shijak, Qerim Ismailaj Mallakaster, Kreshnik Hajdari në Kuçovë.