Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca ka sjellë sot një tjetër shembull suksesi në bujqësi.
Tonin Marku, 56-vjeçari nga Malësi e Madhe eksporton, nëpër botë, bimë medicinale dhe aromatike.
Ai kultivon 20 ha bimë medicinale dhe aromatike, lavandër, sherebelë, bimë makthi, esenca e kësaj të fundit quhet ndryshe dhe lëngu i jetës.
Marku tregon se, “këto bimë rriten shumë mirë në zonën tonë, të japin mundësi dhe të pushosh dhe ndërkohë që ti pushon bima rritet. Me bujqësi është marrë familja ime dhe unë nga ata kam mësuar, kam ndjekur gjurmët e prindërve”.
Ai shton se, “kur shoh që prodhimet tona eksportohen nëpër botë them se kjo është edhe krenari kombëtare”.
Produktet më të rëndësishme të eksportit janë sherebela, rigoni, trumza, livando,
etj. Është regjistruar një fluks i vogël, por në rritje i eksportit të vajrave esenciale, si edhe një rritje e kapacitetit përpunues në vend.
Baza e prodhimit përbëhet kryesisht nga BMA-të e egra që gjenden në të gjithë vendin.
Biodiversiteti i pasur në Shqipëri përfaqëson një potencial të rëndësishëm për zhvillimin e
sektorit të BMA-ve. Më shumë se, 400 specie janë identifikuar si BMA të florës shqiptare,
nga të cilat më shumë se 200 specie mblidhen dhe tregtohen.
BMA-të janë një sektor i rëndësishëm i ekonomisë rurale. Sondazhet tregojnë se, në disa zona rurale pothuajse të gjitha familjet marrin një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave të tyre nga grumbullimi i BMA-ve.