Dëshmitarja e parë e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë është duke e dhënë dëshminë e saj para trupit gjykues në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Dëshmitarja është e mbrojtur dhe identiteti i saj nuk është i bërë i ditur për publikun.
Seanca ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit ka filluar me pyetjet e prokurorisë për dëshmitaren dhe të njëjtat kanë vijuar në seancë private.
Tutje, dëshmitarja ka konfirmuar se është intervistuar nga prokuroria e kësaj gjykate edhe në dy raste të tjera në Prishtinë.
Prokuroria ka paraqitur dokumentet me dëshmitë e saj por ato nuk janë transmetuar për publikun.
Trupi gjykues ka bërë të ditur se dëshmia e dëshmitares së parë do të zgjasë katër ditë.
Pas më shumë se dy vjet në paraburgim, gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka filluar më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Ata po gjykohen për krime të pretenduara të luftës dhe po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020./G.Kadrija/ /KosovaPress/