Zëdhënësi i Presidentes së Kosovës, Bekim Kupina, ka reaguar pas raportimeve të shumta në lidhje me pasaportën diplomatike të kreatorit Valdrin Sahiti dhe se atë e ka marrë nga presidentja Vjosa Osmani.
Kupina theksoi se presidentja nuk i ka dhënë pasaportë diplomatike askujt dhe se nuk ka kompetencë ligjore të japë pasaporta.
Ai ka bërë një sqarim në rrjete sociale duke thënë se këto pasaporta janë dhënë nga qeverisja e kaluar.
Reagimi i Presidencës erdhi pas lajmeve të fundit se stilisti i njohur u kap nga autoritetet turke me posedim të substancave narkotike në Aeroportin e Stambollit, duke shfrytëzuar pasaportën diplomatike.
Postimi i plotë
“Sqarim i sërishëm
Presidentja asnjëherë nuk i ka dhënë pasaportë diplomatike askujt, pra as Valdrin Sahitit. Presidentja as nuk e ka rekomanduar një gjë të tillë. Presidentja nuk ka kompetencë ligjore të japë pasaporta. Këto pasaporta janë dhënë nga qeverisja e kaluar.
Prandaj shpifjet e shumta të këtyre ditëve Presidenca do t’i trajtojë duke ndërmarrë masa të parapara me ligj ndaj të gjithë atyre që kanë shpifur”.