Tre ton kokainë janë gjetur në një nëndetëse në ujërat e Spanjës.
Mediat e huaja bëjnë me dije se ekuipazhi i nëndetëses përbëhej nga dy kushërinj nga Ekuadori dhe një ish-boksier spanjoll, të cilët e nisën udhëtimin e tyre nga një pyll Brazilian dhe udhëtuan përgjatë Amazonës.
Brenda nëndetëses, e cila ishte 20 metra (65 ft) e gjatë, e ndërtuar nga tekstil me fije qelqi dhe çuditërisht e bërë vetë, ishin zbuluar 3 ton kokainë me vlerë më shumë se 150 milionë dollarë.
Mirëpo misioni i tyre fitimprurës dhe i fshehtë i kryer me kujdes, nuk shkoi ashtu siç duhet.
Autoritetet e zbatimit të ligjit, duke përfshirë Agjencinë Kombëtare të Krimit në Mbretërinë e Bashkuar (NCA), gjurmuan nëndetësen që nga viti 2019 dhe arrestuan të tre pjesëtarët e ekuipazhit në brigjet e Galicia në Spanjë dhe i burgosën.
Kujtojmë se vetëm muajin e kaluar, një tjetër nëndetëse u zbulua në brigjet spanjolle – përsëri në rajonin e Galicia.
“Për më shumë se 20 vjet trafikantët kanë përdorur nëndetëset për të arritur në Afrikë dhe Evropë, por këto të dyja janë të parat që kemi kapur,” shpjegon Antonio Martinez Duarte, Kryekomisioneri i Brigadës së Narco në Policinë Kombëtare Spanjolle.
Madje thuhet se në mes të Atlantikut, rreth Ishujve Kanarie dhe Azores, gjendet një varrezë masive e nëndetëseve kokaine, të fundosura qëllimisht pasi ngarkesa e tyre ishte shkarkuar me sukses