Një 37-vjeçar është arrestuar nga policia pasi dyshohet për grabitjen e 3 farmacive në Tiranë.
Nga të dhënat paraprake bëhet me dije se Egert Boçi ka kryer disa vjedhje gjatë muajve të fundit, 3 prej të cilave janë dokumentuar me prova ligjore. Më datë 31 janar dhe 19 mars, Boçi ka vjedhur shuma të ndryshme parash, në një farmaci, në rrugën “Teodor Keko”.
Ai do të vijonte shkeljet duke bërë një tjetër goditje 3 ditë më parë, grabitjen e një shume parash në një farmaci në rrugën “Loni Ligori”.
Me arrestimin e 37-vjeçarit, policia ka mundur të sekuestrojë veshjet të cilat dyshohet se autori i ka përdorur gjatë kryerjes së vjedhjeve.
Boçi dyshohet të jetë autor edhe i disa vjedhjeve të tjera, sakaq vijon puna për dokumentimin e tyre. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.