Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama çeli sot fushatën elektorale në Kolonjë, ku garantoi se rruga e re që do të lidhë Kolonjën me Korçën do ta bëjë më të plotë ofertën turistike të zonës.

 

Gjatë prezantimit të kandidatit për kryetar bashkie në Kolonjë, kryebashkiakut Erion Isai, Rama theksoi se rruga e re shkurton në 20 minuta distancën e Kolonjës nga Korça.

 

“Kjo është hera e fundit që vij dhe rruga nuk është e përfunduar se besoj se brenda verës ne do të kemi mundësi të rikthehemi dhe të ribëjmë të gjithë rrugën nga pazari i Korçës te sheshi i Kolonjës brenda 20 minutash. Është një ndryshim shumë i madh”, tha Rama.

 

Rama theksoi se kjo ishte një vepër komplekse ndaj ka marrë shumë kohë.

 

“Ju e dini shumë mirë se çfarë torture ishte rruga jo vetëm e gjatë por edhe shumë e lodhshme. Kjo është një vepër komplekse, kjo ka qenë arsyeja pse ka marrë më shumë kohë. Shikoni veprat e artit përgjatë rrugës për të kuptuar dimensionin e veprës në aspektin e kompleksitetit të saj”, tha Rama.

 

Kryeministri theksoi se “qëllimi ka qenë që rruga të bëhet, por edhe natyra të ripërtërihet në të dy anët e saj”.

 

“Janë marrë masat që të përgatitet gjithë terreni në dy anët për t’u gjelbëruar më pas dhe ky të jetë një korridor i gjelbër përmes një bashkie e cila është një nga më të gjelbrat e vendit tonë”, tha ai.

 

Rama theksoi se rruga e re do të jetë një vlerë e shtuar edhe për Korçën.

 

“Me këtë afërsi që krijohet me rrugën e re dhe lidhjen organike me Korçën, kjo është një vlerë e shtuar edhe për Korçën. Korça së bashku me Kolonjën dhe Pogradecin hyjnë në një sinergji tjetër dhe oferta turistike e zonës bëhet më e plotë. Vjen në një zonë ku gjen liqenin, malin dhe produktet fantastike, mikpritje, histori e me radhë”, tha ai.

 

Kryeministri theksoi po ashtu se në Kolonjë premtimi për ujë të pijshëm 24 orë është 100% i realizuar.

 

“Ka qenë një kërkesë e vazhdueshme edhe një plagë shumë e vjetër, por në këtë fushatë për herë të parë ne nuk po flasim më për ujin e pijshëm, e kemi çuar 24 orë në çezmat e banorëve të vendit. Nuk ka një shtëpi në gjithë perimetrin e bashkisë Kolonjë që mos ta ketë ujin e pijshëm në dispozicion”, tha Rama.