Një vrasës mafioz nga Italia, i dënuar në arrati që nga viti 2006 është kapur në Francë, pasi ishte fshehur duke u maskuar si kuzhinier picash për tre vjet.

 

Kapja e Edgardo Greco në Saint-Étienne është arrestimi i dytë i profilit të lartë mafioz nga autoritetet italiane brenda pak javësh.

 

Matteo Messina Denaro ishte në arrati për 30 vjet, kur u ndalua në një vizitë në një klinikë në Siçili.

 

Të dy personat ishin në kërkim për kryerjen e vrasjeve të tmerrshme në vitet 1990.

 

Ndërsa Messina Denaro ishte “bosi i bosëve” për Cosa Nostra-n famëkeqe të Siçilisë, Greco ishte pjesë e organizatës kriminale “Ndrangheta’ që e kishte origjinën nga rajoni i Kalabrisë në jug të thellë të Italisë.

 

Ndrangheta tani është mafia më e fuqishme në Itali dhe shtrihen në të gjithë Evropën dhe Amerikën e Jugut.

 

Greco, 63 vjeç, ishte në kërkim për vrasjen e dy vëllezërve gjatë një “lufte mafioze” mes dy bandave në fillim të viteve 1990.

 

Stefano dhe Giuseppe Bartolomeo u rrahën për vdekje në një dyqan peshku në qytetin e vogël të Kozencës në janar 1991. Trupat e tyre nuk u gjetën kurrë dhe besohet se janë tretur në acid.

 

Kur një gjykatës lëshoi ​​një urdhër arresti për të në vitin 2006, Greco u arratis.

 

Tetë vjet më vonë, ai u vendos në qytetin francez të Saint-Étienne, në jug-perëndim të Lionit, duke marrë përfundimisht punën si kuzhinier picash në një restorant italian.

 

Greco ndryshoi emrin duke e quajtur veten Paolo Dimitrio. Tashmë ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm në Itali dhe ishte me urdhër-arrest evropian.

 

Por në korrik 2021, ai ishte mjaft i sigurt për pseudonimin e tij të ri, saqë u shfaq në një artikull të gazetës lokale, duke u mburrur me “recetat rajonale të bëra në shtëpi” si ravioli, rizoto dhe tagliatelle.

 

Greco, duke përdorur emrin e një krimineli nga Pulia në juglindje të Italisë, tani kishte një mjekër gri dhe syze. Megjithatë, ai ndiqej ende nga prokurori kryesor antimafia i Italisë, Nicola Gratteri, i cili ka shpenzuar dekada duke luftuar ngritjen e ‘Ndrangheta’.

 

Në një deklaratë, policia ushtarake e Karabinierëve të Italisë tha se që nga viti 2019, hetuesit kishin gjurmuar rrjetin mbështetës të Grecos, i cili përfundimisht i çoi ata përtej Alpeve në Saint-Étienne.

 

Interpoli tha se në operacionin e tij kundër Ndrangheta bashkëpunuan dhe me autoritetet franceze që kryenin vëzhgimin e vendndodhjes së Grekos. Policia italiane më pas konfirmoi identitetin e tij dhe kërkoi arrestimin.

 

Ministri i Brendshëm italian Matteo Piantedosi vlerësoi policinë për nxjerrjen para drejtësisë të një prej kriminelëve më të këqij të Italisë, ndërsa kreu i rajonit të Kalabrisë, Roberto Occhiuto, tha se arrestimi nënvizoi angazhimin e Italisë në luftën kundër të gjitha formave të krimit të organizuar.