Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan e ka nisur sot ditën me një mesazh drejtuar të rinjve, pasi shumë analistë thonë se vota e kësaj grupmoshe ishte një nga “çelësat” e fitores së tij në raundin e parë të zgjedhjeve në Turqi. Përmes një postimi në Twitter, Erdogan falenderon të rinjtë që shprehën lirshëm zgjedhjen e tyre në qendrat e votimit duke mbështetur demokracinë. 

 

“Me këtë qëndrim, i cili është shembull për të gjithë të rinjtë në botë, ju e keni vërtetuar edhe një herë se sa të drejtë jeni dhe sa besoni te kombi juaj. Jam krenar për ju. Ju jeni shpresa jonë, ju jeni garancia për një të ardhme më të ndritshme.  Së bashku do t’i zgjidhim problemet tona, së bashku do t’i kapërcejmë vështirësitë. Ne do t’i ndajmë së bashku dhimbjet dhe gëzimet. Me ndihmën e Allahut do të shohim ditë më të mira së bashku. Më 28 maj, pres mbështetjen tuaj të madhe, vëllezërit dhe motrat e mia”, përfundon Erdogan në mesazhin e tij. 

Raundi i parë i zgjedhjeve

 

Në Turqi do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve më 28 maj, pasi asnjë nga kandidatët nuk arritën të fitonin mbi 50% të votave. Rexhep Taip Erdogan mori 49.62% të votave, krahasuar me 44.89% të kundërshtarit të tij Kemal Kilicdaroglu. Kështu, Komisioni Kombëtar Zgjedhor i Turqisë konfirmoi dje pasdite se presidenca do të vendoset në raundin e dytë. Mënyra se si do të zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve në Turqi do të varet kryesisht nga kandidati i vendit të tretë, nacionalisti i ekstremit të djathtë Sinan Ogan, i cili siguroi 5.2% të votave në raundin e parë dhe është ende i pavendosur se kë do të mbështesë në raundin e dytë.