Truri ka tendencën për të menduar skenarin më të keq dhe për të bërë refleksione negative natën. Dhe e dini pse? Ankthi! “Ankthi është një emocion që na zgjon”,- thotë Steve Orma, psikolog klinik dhe autor i librit “Stop Worrying and Go to Sleep: How to Put Insomnia to Bed for Good”, për The Huffington Post. “Në trup ndodhin ndryshime që të bëjnë aktiv, pikërisht të kundërtat e atyre që duhet të ndodhin kur ti përpiqesh të flesh”.

 

 

Lajmi i mirë është që meqë ankthi ngacmohet nga mënyra e të menduarit, ne jemi të aftë të mendojmë dhe në atë mënyrë që na ndihmon të flemë”,- thotë Orma. Këtu janë disa këshilla që do të ndihmojnë të frenonsh ankthin, pa nevojën e pilulave të gjumit.

 

Cila është arsyeja e shqetësimit?

 

“Të zbulosh burimin e shqetësimit, është hapi i parë i rëndësishëm për ta ndaluar atë”,- thotë Orma. Nëse vuan nga pagjumësia, je i shqetësuar për gjumin, nëse vuan nga një ankth i përgjithshëm, e ke të pamundur të qetësohesh, sepse mendimet i ke të angazhuara me faktorë stresues. “Duhet të përcaktosh çfarë të mban zgjuar dhe të merresh me të, para se të shkosh të flesh”,- shpjegon ai. “Njerëzit mendojnë për të gjitha shqetësimet kur janë në krevat dhe nuk është ajo koha kur duhet ta bëjnë këtë.”

 

Kupto çfarë ke në mendje

 

Kërkimet sugjerojnë që po të vendosësh të gjitha shqetësimet në një objekt të prekshëm dhe ta hedhësh atë tutje, të ndihmon të pastrosh mendjen nga mendimet negative. “Merr një copë letër dhe shkruaj të gjitha gjërat për të cilat je i apo e shqetësuar, qoftë gjumi, puna, marrëdhëniet, fëmijët”, thotë Orma. “Ti nuk i zgjidh dot në atë kohë. Mendja e përqendruar te to vetëm sa do të lërë pa gjumë”. Nëse nuk mundesh ta hedhësh larg, lëre afër krevatit që t’i kthehesh të nesërmen.

 

Mos rri në shtrat

 

“Shumë njerëz qëndrojnë në shtrat dhe shpresojnë që do lodhen dhe do i zërë gjumi, por zakonisht nuk ndodh”,- thotë ai. Si pasojë, njerëzit fillojnë të shoqërojnë të qenit në shtrat me të qenit zgjuar. Nëse nuk të zë gjumi brenda 20-30 minutash, ngrihu dhe shko në një dhomë tjetër.

 

Ndrysho orën e gjumit

 

 

 

“Nëse ke gjithmonë probleme me gjumin, ndoshta duhet të rregullosh orarin kur shkon për të fjetur”,- thotë Orma. Kjo do të thotë që të shkosh në shtrat më vonë. “Këtë gabim bëjnë shumë njerëz, ata shkojnë të flenë sepse ka ardhur ora, kanë apo nuk kanë gjumë”, thotë ai. “Njerëzit e kanë mendjen aktive kur shtrihen, jo sepse nuk i lë ankthi të flenë, por sepse nuk janë të lodhur dhe mendja thjesht fillon punën.”

 

Mendo të bësh një gjë tjetër…

 

Nëse thjesht e ke të pamundur të flesh, lexo një libër. (librat janë shumë të mirë në këtë rast), pi pak kamomil, dëgjo muzikë ose praktiko pak meditim. Çfarëdo që të bësh, e rëndësishme është të mos shkosh drejt telefonit ose laptopit. Pajisjet elektronike do të të lënë zgjuar. Kur gjendesh përballë pagjumësisë, Orma thotë të përqendrohesh në faktin që një mendje plot ankth nuk është një problem i përhershëm. “Janë të dyja shumë të zakoshme. Shumë njerëz mendojnë që ka diçka që s’shkon tek ata kur kanë këtë përvojë, por duhet të dimë që është normale, edhe pse nuk është një përvojë e këndshme. Megjithatë, mbetet thjesht një problem në mënyrën e të menduarit dhe të zakoneve të shtratit. Është me të vërtetë diçka që mund të zgjidhet.”