Gjatë një operacioni policor ndërkombëtar, 37 persona u arrestuan si pjesë e një bande kriminale “shumë të dhunshme” nga Ballkani Perëndimor, njoftoi Europol.

 

 

Aksioni u koordinua nga Kroacia. Kjo “celulë e fuqishme kriminale” ishte e përfshirë kryesisht në trafikun në shkallë të gjerë të drogës dhe armëve të zjarrit në të gjithë Evropën, tha agjencia e zbatimit të ligjit të Bashkimit Evropian.

 

“Gjatë hetimit u arrestuan gjithsej 37 të dyshuar, duke përfshirë kreun e bandës, një shtetas të Bosnjë e Hercegovinës, të cilin Europol e konsideron një objektiv me vlerë të lartë dhe që aktualisht po vuan një dënim me katër vjet burg në Itali”, tha Europol në një njoftim.

 

 

Kreu i bandës dyshohet se organizonte kontrabandën e drogës dhe armëve të zjarrit duke u dhënë urdhra vartësve, edhe pse ishte në qeli, shton Europol.

 

Në të njëjtën kohë, të enjten, një seri bastisjesh u kryen në Kroaci, Slloveni, Bosnje dhe Hercegovinë, Holandë, Itali, Belgjikë dhe Gjermani kundër anëtarëve të dyshuar të bandës.

 

Së bashku me arrestimet, policia sekuestroi rreth 148,000 euro para të gatshme, 18 armë zjarri, duke përfshirë dy automatikë dhe 500 gramë TNT me detonatorë nga distanca.

 

Policia ka sekuestruar gjithashtu 15 kilogramë kokainë, 11 kilogramë heroinë, si dhe sasi më të vogla të drogave të tjera.

 

Hetimi ndërkombëtar pasoi atë që Europol e përshkroi si një “hetim i ndërlikuar” i kryer nga policia kroate si pjesë e Task Forcës “Ballkan Cartel”. /REL